Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka bërë thirrje për pezullimin e përkohshëm të disa dispozitave të Marrëveshjes së Shengenit mbi lëvizjen e lirë, pas mbërritjes së qindra emigrantëve të parregullt nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceutës. Në një reagim publik, Meloni i cilësoi pamjet nga Ceuta si “tronditëse” dhe paralajmëroi se Italia nuk do të qëndrojë pasive përballë zhvillimeve.
“Italia nuk do të qëndrojë duarkryq”, deklaroi ajo. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili mbështeti kërkesën për masa më të forta në menaxhimin e flukseve migratore.
Sipas Tajanit, vendimi i qeverisë spanjolle për t’u dhënë shtetësi spanjolle, dhe rrjedhimisht shtetësi evropiane, mbi 500 mijë emigrantëve të parregullt ka qenë një zgjedhje e gabuar.
“Imazhet që vijnë nga Ceuta tregojnë se zgjedhja e qeverisë së Madridit për t’u dhënë shtetësi spanjolle, dhe për rrjedhojë evropiane, mbi 500 mijë migrantëve të parregullt është thellësisht e gabuar dhe inkurajon trafikimin e qenieve njerëzore”, shkroi Tajani në platformën X. Deklaratat vijnë në një moment kur Spanja po përballet me një valë të re emigrantësh në Ceuta, ndërsa autoritetet spanjolle kanë angazhuar ushtrinë dhe forca shtesë sigurie për të menaxhuar situatën në enklavën kufitare.
