Tre javë nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, nafta në Tiranë ka arritur 200 lekë për litër. Përballë thellimit dhe zgjatjes së papërcaktuar në kohë të krizës së karburanteve për shkak të luftës, qeveria shqiptare është mjaftuar vetëm me zotimin se do të jetë arbitri i madh mes tregut dhe konsumatorit. Përveç kësaj, kryeministri Rama në takimin me furnizuesit e naftës tha se nuk ka plan as për rikthimin e Bordit të Transparencës dhe as rishikim të taksës së qarkullimit. Ai gjithashtu përjashtoi kompensimin e gjerë nga buxheti i shtetit, duke sqaruar se mbështetje financiare do të ketë vetëm për pensionistët.

Ndërkohë që qeveria shqiptare merr vetëm një rol propagandistik si arbitër i madh mes tregut dhe konsumatorit, në Italinë fqinje flitet me shifra konkrete për ndihmën që do të kenë konsumatorët për 3 muajt e ardhshëm.

Qeveria e kryeministres Meloni ka miratuar një paketë masash të përkohshme që synojnë të kufizojë efektet e menjëhershme të rritjes së çmimeve të karburantit te familjet dhe bizneset e lidhura me shpërthimin e konfliktit në Iran.

Masat përfshijnë një ulje 20-ditore të akcizës, me një ndikim në çmim prej 25 centësh për litër për benzinën dhe naftën; një kredi tatimore për karburantin dizel për kamionistët dhe një kredi tatimore prej 20% për anijet e peshkimit për tre muaj, nga marsi deri në maj. Ndarja e fondeve pritet të jetë më pak se një miliard euro.

Qeveria italiane është gati të zgjasë kohëzgjatjen e masave nëse kriza e shkaktuar nga lufta në Iran do të vazhdojë.

Po ashtu, dekreti përfshin kontrolle të përforcuara anti-spekulime. Për tre muaj, kompanitë e naftës do të duhet të paraqesin çmimet e tyre të rekomanduara të shitjes në Ministrinë e linjës çdo ditë. Guardia di Finanza dhe Autoriteti Antitrust po mobilizojnë një regjim të posaçëm monitorimi për “shtrembërimet përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe shpërndarjes së karburantit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: