Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, komentoi deklaratat e fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Abu Dhabi, të cilat shkaktuan polemika në Greqi. Mitsotakis theksoi se e njeh mirë Ramën, të cilit siç tha, shpesh i shpëtojnë fjalë që nuk duhet të thuhen.
“E njoh shumë mirë zotin Rama, ka një mënyrë të veçantë të të shprehurit dhe shpesh i shpëtojnë gjëra që nuk duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një të gabuar dhe e kuptoi gabimin e tij. Mbaj në konsideratë korrigjimin; ishte një deklaratë e pafat, më mirë ta lëmë pas”, u shpreh Mitsotakis.
Ky reagim vjen pas kritikave në mediat greke lidhur me komentin e Edi Ramës ndaj gazetarit greko-amerikan John Defterios, gjatë një paneli të zhvilluar në Abu Dhabi, duke u përfshirë në një debat historik dhe kulturor mes të dy vendeve.
“Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, është kjo deklarata e shkëputur nga Edi Rama, i cili iu drejtua gazetarit greko-amerikan John Defterios pasi ky i fundit i shqiptoi emrin gabim.
Një ditë më parë vetë Rama reagoi duke thënë se tonet e tij nuk kanë qenë aspak tendencioze, por vetëm humor miqësor.
