Juventusi është shumë pranë rikthimit të Randal Kolo Muanit. Bardhezinjtë dhe Paris Saint-Germain kanë përshpejtuar negociatat dhe janë një hap larg marrëveshjes për huazimin e sulmuesit francez me detyrim blerjeje për 40 milionë euro, plus bonuse. Trajneri Luciano Spalletti ka kërkuar me ngulm mbylljen e operacionit përpara nisjes së turneut veror në Hong Kong dhe Australi. Kolo Muani kishte lënë gjurmë edhe në aventurën e tij të parë në Torino, ku shënoi 10 gola dhe dha 3 asistime në 22 ndeshje.

Por merkatoja e Juventusit nuk ndalet këtu. Drejtuesit bardhezi vazhdojnë kontaktet edhe me Manchester United për Joshua Zirkzee. Anglezët preferojnë ta lëshojnë holandezin në formë huazimi me detyrim blerjeje, ndërsa Juventusi synon të sigurojë të drejtën e blerjes, me bisedimet që vijojnë.

Ndërkohë, në skenë ka dalë edhe emri i Theo Hernandez. Mbrojtësi francez i Al-Hilal thuhet se është vetëofruar te Juventusi dhe Napoli, por paga prej 20 milionë eurosh në sezon mbetet pengesa kryesore për një rikthim në Serie A. Një transferim i tij në Torino do t’i hapte rrugën largimit të Andrea Cambiasos, për të cilin deri tani kanë shfaqur interes disa klube të mëdha europiane. Vetë mbrojtësi italian ka minimizuar zërat e merkatos, duke theksuar se është i qetë dhe se spekulimet janë pjesë e futbollit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb