Të dhënat më të fundit për llojin e transferimeve në futbollin shqiptar zbulojnë një prirje të qartë se pjesa më e madhe e afrimeve dhe largimeve realizohet nga lojtarë “out of contract”, pra pa kontratë, duke treguar qartë mënyrën sesi funksionon tregu në vend.
DOMINIMI – Nga statistikat, rezulton se 102 lojtarë kanë ardhur në Shqipëri si të lirë pas përfundimit të kontratës me klubin e mëparshëm, ndërsa 64 janë larguar në të njëjtën formë. Ky numër i lartë tregon se klubet shqiptare mbështeten më së shumti tek tregu i lojtarëve të lirë, duke shmangur pagesat për kartonë, një strategji e kuptueshme duke parë mundësitë ekonomike të kufizuara.
TRANSFERIMET E PËRHERSHME – Në aspektin e marrëveshjeve të drejtpërdrejta, vetëm 21 lojtarë janë afruar përmes transferimeve të përhershme, ndërsa 9 janë larguar në këtë formë. Ky raport i ulët në krahasim me “out of contract” tregon se blerjet me pagesë janë ende një praktikë e rrallë në futbollin shqiptar.
HUAZIMET DHE RIKTHIMET – Një tjetër element interesant është roli i huazimeve. Vetëm 6 lojtarë janë afruar përmes huazimit dhe 2 janë larguar në këtë mënyrë. Gjithashtu, 5 lojtarë janë rikthyer nga huazimi, ndërsa 3 të tjerë janë larguar. Këto shifra tregojnë se lëvizjet me huazim mbeten shumë të kufizuara, ndryshe nga kampionatet më të mëdha ku kjo është një praktikë e zakonshme.
Panorama e tregut shqiptar është e qartë se klubet po shfrytëzojnë maksimalisht lojtarët pa kontratë, duke i parë si mënyrën më të lehtë për të përforcuar skuadrat. Nga ana tjetër, transferimet me pagesë apo huazimet nuk kanë ende peshë reale. Kjo tregon një treg të varur nga lëvizjet “low-cost”, i cili megjithatë ofron mundësi fleksibiliteti, por e vë në pikëpyetje cilësinë dhe stabilitetin afatgjatë të kampionatit.
