Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka shprehur keqardhje për qëndrimet raciste dhe aktet e dhunës që shënjestrojnë komunitetin turk të vendit.

Duke folur në një konferencë për media në Berlin pas një takimi përmes video-konferencës me përfaqësues të grupeve kryesore etnike dhe organizatave të emigrantëve, kancelarja gjermane riafirmoi angazhimin e qeverisë së saj për të luftuar diskriminimin dhe racizmin.

“Viteve të fundit ne kemi përjetuar incidente shumë të këqija, si vrasjet e NSU-së (Socialistët Kombëtarë Nëntokësor) dhe sulmi në Hanau”, tha Merkel, duke iu referuar sulmeve vdekjeprurëse terroriste nga ekstremistët e ekstremit të djathtë.

“Pas gjithë këtyre është vërtet e vështirë për një person me origjinë turke të besojë se ata janë të mirëpritur këtu, se ata kanë mundësi të barabarta”, tha Merkel.

Ajo theksoi se Gjermania e konsideron komunitetin turk si një pjesë të integruar të shoqërisë dhe se qeveria do të rritë programet për të luftuar diskriminimin dhe paragjykimin, po ashtu duke siguruar mundësi të barabartë për personat me prejardhje migrante në të gjitha fushat e jetës shoqërore.

Merkel tha se kur Turqia dhe Gjermania nënshkruan një marrëveshje të fuqisë punëtore 60 vite më parë, kjo po ashtu hapi një faqe të re në historinë gjermane, pasi siç tha ajo, “punëtorët mysafirë” turq të cilët erdhën për të zhvilluar ekonominë e Gjermanisë po ashtu krijuan një komunitet të ri.

“Ne tani më nuk i quajmë punëtorë mysafirë. Ata janë bërë bashkatdhetarë tanë. Shumë prej tyre po ashtu janë bërë shtetas gjermanë”, u shpreh Merkel.

Gjermania ka një komunitet turk tre milionësh, shumë prej të cilëve janë qytetarë të brezit të dytë dhe të tretë të lindur gjermanë, gjyshërit e të cilëve gjatë viteve të 1960’ta u zhvendosën në vend si “punëtorë mysafirë”.

Viteve të fundit vendi ka qenë dëshmitar i racizmit në rritje, të nxitur nga partitë e ekstremit të djathtë të cilët kanë shfrytëzuar frikën për krizën e refugjatëve dhe terrorizmit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb