Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz ka shprehur mirënjohje ndaj presidentit amerikan Donald Trump për vendimin për të shtyrë sulmet e paralajmëruara ndaj termocentraleve në Iran.

Në një konferencë për shtyp në Berlin, Merz tha se i kishte shprehur shqetësimet e tij Trump-it lidhur me pasojat e mundshme të këtyre sulmeve. “Jam mirënjohës që ai vendosi t’i shtyjë për pesë ditë të tjera,” deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se hapësira kohore mund të shërbejë për zgjidhje diplomatike.

Në të njëjtën linjë, kryeministri britanik Keir Starmer ka mirëpritur raportimet për nisjen e bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit.

Duke folur para një komisioni parlamentar, Starmer u shpreh se Mbretëria e Bashkuar është në dijeni të diskutimeve dhe i konsideron ato një zhvillim pozitiv në drejtim të uljes së tensioneve. Sipas Downing Street, ai ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Trump një ditë më parë.

Nga ana tjetër, vetë Trump ka deklaruar se ekzistojnë “pika të rëndësishme marrëveshjeje” mes palëve, ndërsa Irani ka mohuar zyrtarisht se bisedimet janë duke u zhvilluar.

Zhvillimet vijnë në një moment kritik për rajonin, ndërsa presioni ndërkombëtar për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit mbetet i lartë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb