Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e konsideroi “të papranueshëm” planin e SHBA-së për të përdorur kapitalet ruse të “bllokuara” në Bashkimin Europian, duke refuzuar gjithashtu edhe propozimin për shtimin e 100 miliardë dollarëve të tjerë nga Europa.
Megjithatë, ai shprehu shpresën se në Gjenevë do të arrihet përparim, ndërsa hodhi përgjegjësinë mbi Rusinë për sulmet hibride të fundit ndaj infrastrukturës evropiane.
“Kjo është e papranueshme,” tha kancelari në një intervistë për televizionin publik ARD, duke iu referuar propozimit të SHBA-së që 100 miliardë dollarë nga asetet ruse të sekuestruara në Evropë të përdoren për rindërtimin dhe investimet në Ukrainë nën kontrollin amerikan, të cilët më pas do të marrin 50% të fitimeve të mundshme.
Plani amerikan parashikon gjithashtu që BE-ja të kontribuojë me 100 miliardë dollarë shtesë për rindërtimin e Ukrainës. Merz theksoi se këto pika të planit “nuk mund të zbatohen pa miratimin tonë” dhe sqaroi se aktualisht diskutohet vetëm përdorimi i këtyre aseteve si hua.
“Nëse jepet kjo hua, do të sigurohet nga Bashkimi Europian dhe më pas do t’i jepet Ukrainës si garanci, për të vazhduar blerjen e armëve. Por kjo nuk ndikon drejtpërdrejt tek amerikanët.
Prandaj, ata nuk mund të kenë akses në këtë shumë,” shtoi ai, duke vënë në dukje se “dhe kërkesa për shtimin e 100 miliardëve të tjerë nga Evropa nuk është diçka që mund ta pranojmë”.
Megjithatë, Merz shprehu shpresën se në Gjenevë, ku diskutohen edhe ndryshimet e propozuara nga evropianët, do të arrihet përparim dhe disa pika të planit amerikan do të përshtaten në mënyrë të pranueshme për të gjithë.
Ai gjithashtu përmendi propozimin e tij, pa dhënë detaje shtesë. “Nuk mund dhe nuk dua të parashikoj negociatat që po zhvillohen tani në Gjenevë, por është e rëndësishme që tani të ketë përparim,” tha ai.
