Udhëheqësi i kristiandemokratëve në Gjermani, Friederich Merz njoftoi se bisedimet për formimin e një koalicioni qeverisës kanë përfunduar me një marrëveshje, duke shtuar se synon që ta marrë detyrën e kancelarit në fillim të majit.

Merz theksoi se bisedimet për koalicion u zhvilluar në mes të “tensioneve ndërkombëtare politike në rritje”, duke përmendur pushtimin e Ukrainës të nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

“Agresori rus, Putin, nuk po shfaq gatishmëri për t’i dhënë fund luftës. Në të njëjtën kohë, pasiguritë ekonomike po rriten shumë. Vetëm këtë javë, vendimet e Qeverisë amerikane kanë shkaktuar turbulenca të reja”, tha ai

Merz do të jetë kancelari i gjerman, pasi ka arritur marrëveshje për një koalicion qeverisës me Socialdemokratët e udhëhequr nga Lars Klingbeil, që pritet të bëhet ministër i Financave.

Pasi u njoftua për arritjen e marrëveshjes për Qeverinë e re, koalicioni publikoi programin politik prej 144 faqesh, ku ofrohet mbështetje e fuqishme për Ukrainën.

“Do t’i ofrojmë Ukrainës mbështetje gjithëpërfshirëse, që ajo të mund të mbrohet në mënyrë efektive ndaj agresionit rus dhe të ketë një pozicion të fortë në negociata”, thuhet në dokument.

Qeveria në largim e Gjermanisë, që udhëhiqet nga socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz, ka qenë një furnizuese kryesore e ndihmës ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, që nga nisja e pushtimit më 2022.

Gjatë një vizite në Berlin, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka shpresë që qeveria e re do t’i dërgojë Ukrainës raketat lundruese Taurus – një kërkesë e kahershme e tij. Merz, në atë kohë, nuk dha zotimin se do të përmbushte këtë kërkesë të Zelenskyt.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb