Kancelari Friedrich Merz foli për një “shpërthim” të dhunës – si analoge ashtu edhe dixhitale, pjesa më e madhe e së cilës është për shkak të emigrantëve , duke provokuar reagime në Bundestag . Gjatë një debati mbi dhunën dixhitale ndaj grave, pas zbulimit të ankesës së një aktoreje të njohur kundër ish-bashkëshortit të saj për “përdhunim dixhital”, kancelari theksoi se grupet e emigrantëve janë pjesërisht përgjegjëse për “shpërthimin” e rasteve të dhunës analoge dhe dixhitale në vend.
“Nuk dua ta minimizoj çështjen”, tha kancelari Merz, dhe duke iu përgjigjur kritikave, kryesisht nga të Gjelbrit, se nuk po trajtonte temën e debatit, ai vuri në dukje: “Nuk janë vetëm gratë në këtë vend që po diskutojnë dhe flasin për këtë çështje, por edhe shumë burra – dhe unë jam një prej tyre.”
Duke iu referuar iniciativave përkatëse legjislative të qeverisë së tij, ai foli për hartimin e një ligji për mbikëqyrjen elektronike me një “byzylyk”, si dhe për ruajtjen e adresave IP, me qëllim lehtësimin e ndjekjes penale të krimeve në hapësirën dixhitale.
