Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) rreth orës 10:00, pas një thirrjeje nga prokurori Elvin Gokaj. Ai do të pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni mbi çështjen e ngritur ndaj gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka.

“Nuk i njoh dosjet konkrete, por natyrisht si institucioni i bashkëpunimit me krimin, ka me qindra mijëra qytetarë, të cilët këtu kanë zemërimin e madh, kanë problemet e mëdha. Atëherë është Edi Rama vetë me Gjipenë. Bëhet fjalë për Gjipenë. Ua mori Gjipenë. Dora e mafies, dora e qeverisë është kudo”, tha Berisha pasi doli nga SPAK.

Çështja, për të cilën u pyet sot Berisha lidhet me deklaratat publike të bëra nga vajza e tij, Argita Malltezi, e cila ka akuzuar gjyqtaren Gjoka se ka përfituar 500 mijë euro nga një përfaqësues i Partisë Socialiste, në këmbim të ndikimit në një proces gjyqësor. Këto deklarata janë bërë pasi gjyqtarja u caktua të shqyrtonte dosjen “Partizani”, që përfshin edhe Berishën dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Në lidhje me dosjen “Partizani”, Berishës iu caktua masa “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezit “arrest në shtëpi”.

Deklaratat akuzuese kulmuan me një konferencë për shtyp më 23 shtator 2024, ku Argita Malltezi pretendoi se Gjoka është e përfshirë në një video, ku i kërkonte një ish-zyrtari të PS-së 500 mijë euro për të mos e përfshirë në një grup të strukturuar kriminal. Ajo shtoi gjithashtu se rreth 17 gjyqtarë dhe prokurorë të SPAK rezultojnë të përmendur në hetimet ndërkombëtare përmes aplikacionit “Encrochat”.

Pas këtyre akuzave, vetë gjyqtarja Gjoka depozitoi një kallëzim për shpifje në SPAK në tetor të vitit të kaluar, duke kërkuar hetimin e deklaratave të Argita Malltezit. Kjo e fundit u pyet në fillim të janarit 2025 lidhur me pretendimet që kishte ngritur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: