Mes debateve, Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, kalon me votat e PS projektligjin për barazinë gjinore.
Ky projektligj ishte pika e parë e rendit të ditës që përfshiu në debate të forta opozitën dhe mazhorancën. Në fund të diskutimeve, kryetari i komisionit, Igli Hasani, ftoi deputetët që të votonin. Në përfundim projektligji u votua me 8 vota të deputetëve të PS në komision, teksa mori 2 vota kundër të opozitës dhe një abstenim.
Më tej ai kaloi nen për nen dhe në tërësi. Kjo ishte pika e parë e diskutimit, teksa më herët deputeti demokrat Tritan Shehu u kërkoi socialistëve që të mos krijonin amulli dhe kaos dhe ta tërhiqnin projektligjin, duke propozuar që të hidhej në referendum. Ai tha se mazhoranca po kërkonte të minonte familjen tradicionale, ku qëllim ishte ndryshimi i gjinisë. Deputeti Taulant Balla e mohoi, duke thënë se ky projektligj synonte vetëm barazinë gjinore mes burrave dhe grave, si në institucione shtetërore, ashtu edhe në ato private, ku të kishin të drejta dhe përfaqësim të barabartë.
Rendi i ditës te Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Shqyrtimi i Projektligjit “Për barazinë gjinore”;
Shqyrtimi i Projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998,“Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
Seancë dëgjimore për Kre të Misionit Diplomatik me z. Ermal Dredha, kandidat për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, në Konfederatën e Zvicrës, rezident dhe Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtensheinit, jo rezident.
