Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për ndërtimin e 764 njësive të reja banimi në tre vendbanime në Bregun Perëndimor të pushtuar, konfirmoi të hënën Ministri i Financave Bezalel Smotrich. Vendimi vjen në një kohë tensionesh të larta dhe akuzash të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Sipas Smotrich, një figurë ultranacionaliste që kundërshton krijimin e një shteti palestinez, nga fundi i vitit 2022 e deri më sot janë miratuar gjithsej 51,370 njësi banimi të reja nga Këshilli Suprem i Planifikimit. Ai e quajti procesin “një revolucion” që synon forcimin e vendbanimeve dhe “të ardhmen e Shtetit të Izraelit”.

Njësitë e reja do të ndërtohen në vendbanimet Hasmonaim, Givat Zeev dhe Beitar Illit, zona të vendosura pranë Jerusalemit dhe Vijës së Gjelbër. Shumica e fuqive botërore dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i konsiderojnë vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara që prej luftës së vitit 1967 si të paligjshme. Wasel Abu Yousef, anëtar i komitetit ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, deklaroi për Reuters se të gjitha vendbanimet “janë të paligjshme dhe kundër legjitimitetit ndërkombëtar”.

Izraeli, nga ana tjetër, mbron qëndrimin se vendbanimet janë thelbësore për sigurinë e tij dhe se lidhjet biblike, historike dhe politike me territorin e justifikojnë praninë izraelite në zonë. Ndërkohë, raportet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se dhuna e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve është intensifikuar ndjeshëm. Vetëm në tetor janë regjistruar 264 sulme – numri më i lartë mujor që kur OKB nisi dokumentimin e incidenteve të tilla në vitin 2006. Vendimi i ri pritet të ashpërsojë më tej tensionet midis Izraelit dhe Palestinës dhe pritet të nxisë reagime të reja diplomatike nga komuniteti ndërkombëtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: