Një gazetare dhe prezantuese radioje, e cila kishte kaluar tashmë gjashtë vjet në paraburgim, u shpall sot fajtore për financim të terrorizmit, në një çështje që ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut, si edhe nga Kombet e Bashkuara. Frenchie May Cubio, 26 vjeçe, dhe Mariel Domequil, ish-shoqja e saj e dhomës, shpërthyen në lot dhe u përqafuan në sallën e gjyqit pasi presidentja e Gjykatës Rajonale të Tacloban-it, Georgina Perez, shpalli vendimin. Gjykata i dënoi të dyja me dënime që variojnë nga minimumi 12 vjet e pesë muaj burg deri në maksimumin 18 vjet e tetë muaj.

Jashtë gjykatës, në kryeqytetin provincial të Visayas Lindore, forcat e policisë kundër trazirave penguan mbështetësit të hynin në ndërtesë, mes tyre edhe nëna e znj. Cubio, Lala. Dy gratë u arrestuan në shkurt të vitit 2020 dhe fillimisht u akuzuan për posedim të paligjshëm armësh, konkretisht një pistolete dhe një granate dore pa leje. Gjykata i shpalli sot të pafajshme për këtë akuzë. Megjithatë, një vit më vonë ndaj tyre u ngrit edhe akuza për financim të terrorizmit, e cila parashikon një dënim maksimal deri në 40 vjet burg.

Çështja është ndjekur nga afër nga organizata të shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Fondacionin Clooney për Drejtësi, të drejtuar nga avokatja e njohur Amal Clooney. Në tetor, ajo kishte kritikuar ashpër kohëzgjatjen e paraburgimit, vonesat e përsëritura dhe ritmin e ngadaltë të procesit gjyqësor. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) reagoi gjithashtu sot, duke dënuar vendimin e gjykatës. Drejtori i tij për rajonin Azi–Paqësor, Be Li Yi, e quajti vendimin “absurd”, duke shtuar se pavarësisht premtimeve të Presidentit Ferdinand Marcos Jr., ato kanë mbetur “vetëm fjalë boshe”. Edhe raportuesja speciale e OKB-së për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së mendimit dhe shprehjes, Irene Khan, e kritikoi ashpër procesin, duke e cilësuar gjyqin kundër gazetares si “një parodi të drejtësisë”. Sipas saj, akuzat ndaj Frenchie May Cubio duket se janë ngritur “si hakmarrje për punën e saj gazetareske”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: