Ishte ditë e javës së tretë të shkurtit 79… Jakovi ish shtruar në Pavionin e katit të dytë të Spitalit nr 1, në Tiranë. Në rikthim të të ftohtit, ngricës dhe erës therrëse, si për të fshirë nga kujtimi ato pak ditë të ngrohta të një jave më parë, që sidoqoftë “dikë” e kishin gënjyer me atë para-pranverë të shkurtër, duke u dhënë jetë mimozave që ende rrinin shpërthyese në harenë e zverdhtë të tyre, aq bukur e aq shpresëdhënëse në zymtinë e ngjyrave të murrme të dimrit! Edhe ne, dy vëllezërit dhe mëmës sonë, sikur iu ngroh pak shpirti me shpresë në ato pak ditë me diell, e na u duk sikur edhe sëmundja babait do zbërthehej e do shkrihej bashkë me akullin që rrinte ngrirë mbi pullaze e qepena deri në mëngjes e pastaj binte poshtë pikë-pikë… Dhe vërtet, në ato ditë gati pranverore; sikur ndodhi vërtet një përmirësim i shkurtër dhe rikthim i vështrimit dhe i syve të babait, që pas kaq e kaq ditësh, i rrinin ngultas dhe nuk i lëviznin sa andej këtej si në trullosje. Por që për fat të keq, ishte vetëm një “rikthim” i përkohshëm, i cili u ndërpre siç dhe erdhi, ashtu rrëmbimthi…

Edhe atë mëngjez, sëbashku me Arbenin (vëllain tim), duke lënë çdo gjë pas dore në rutinën tona të përditëshme, u nisëm për në Spital. Por, nuk hypëm në autobuzin e Unazës, por morrëm rrugën nga Pallatet “Agimi” përgjatë Lanës; dolëm tek Ura në Bulevard e pastaj, rrugës që çonte tek Rruga Elbasanit; aty ku, në rrifillim të bulevardit në anën e djathtë, ishte (dikur) një lulishte e mbajtur mjaft mirë, ku sot është ajo që quhet Piramida. Aty ku mbaronte ajo lulishte fillonte ndërtesa e Kryeministrisë, e cila edhe sot është po ajo.

U drejtuam për atje, sepse midis shumë drurishtesh, kishim parë të shpërthyera bukur aty, disa pemë me mimoza. Babai ynë, gjatë gjithë jetës ka patur një “debulesë” të veçantë ndaj mimozave dhe ato ditë në spital me shpërthimin e parakohshëm të tyre, na kish kërkuar me zërin e tij të dobët, t’i mblidhnim e t’i çonim përditë në Spital një tufë me to.

U afruam në mes të lulishtes, ku rrinin dy mimoza të mëdha në atë shpërthim llamburitës verdhan. “Oh, oh…!”, foli im vëlla, Beni, “i paskan “krasitur” mirë dje, degët e poshtëme… U dashka hypur sipër…!” Dhe unë si më i vogli, u kacavjerra lart, mbështetur gjunjët mbi shpatullat e tij. Dhe po mblidhja ashtu, degë-degë mimozash në endje, midis asaj arome të fortë e cila sikur të hapte dyert e mushkërive. Aty, kuptova se përse insistonte babai për to dhe përse mamaja jonë, porsa ia çonim, i mblidhte dhe ia vinte gjysëmrreth mbi krye në jastëk; dhe ia hiqte me kujdes natën vonë, kur ato lulëza ishin mpakur dhe humbur llamburritjen dhe aromën e fortë çliruese, tejmbushur me oksigjen…
“Ore ti djalë, pa zbrrit që aty…!”, dëgjova papritur nga poshtë zërin e një burri. Ula sytë poshtë dhe pashë dy policë që po afrohedhin me nxit. Kur, sakaq u doli përpara im vëlla: “Shoku polic, na falni ju lutem…!”.

“E ç’tju falim, more!”, ia pritën ata, “Po dëmtoni pemët e lulishtes…! Hajde ore ti, zbrit e na jep pak dokumentat…!”, urdhëroi ai Arbenin.
Im vëlla, duke kuptuar situatën disi qesharake por edhe i shqetësuar, u avit dhe i dha dokumentin, duke i thënë: “i thashë unë tim vëllai të hypte të merrnim disa mimoza…Unë jam fajtori…”, e më bënte shënjë, si të më thonte: Prit, mos zbrit…!

Polici kqyrri pasaportën e Benit, e hapi në faqen e dytë ku kish gjeneralitete të ndryshme, e vështroi dhe ngriti kokën duke folur me zë më të butë: “Po mirë more djema, si mund të bëni kështu? Goxha djem, e të kacavirreni pemëve e ne të merremi me ju…?”
Ndërkohë, unë isha ulur. Nga dera e sprapme e Kryeministrisë, ku dikur ishte servis dhe parking u avit një tjetër polic.
“Pa na thoni, për çfarë arsye po këputni e thyeni pemët?”, na u drejtua ai, që ishte siç duket si biçim përgjegjësi.

Ne të dy rrinim kokëulur e pa nxjerrë zë. Pastaj, Beni, ngriti kokën, më pa mua dhe u tha me pak zë: “Donim të mblidhnim një tufë mimizash për në spital, tek babai…”.
Të tre u vështruan në sy, u zbutën dhe më tepër e nuk folën më. Dhe çuditërisht, ai që kish dalë prej postës së kryeministrisë tha: “Pritni, këtu…!”, iku e u kthye pas pak me dy tufa të mëdha mimozash, mbledhur kushedi përse nga pemët që ishin brënda murit rrethues së oborrit…

Atë ditë, ne ia rrethuam shtratin me mimoza babait, i cili, me të ndjerë erën e tyre, hapi sytë me zor dhe mori pak frymë çlirët e në bëlbëzim na u drejtua: “Ben…Gon, bukur ia rrethuat kokën babit sot, si me kurorë mimozash, si ato përsipër një arkivoli…”
“Kovi,”, ndërhyri mamaja, “Po ç’thua kështu përpara djemve…? Kujto çfarë të tha doktori mbrëmë, se nuk ke gjë për t’u shqetësuar… E ftohma që ke po ikën dhe ja…, pak durim! Petraqi tha se po bëjnë të pamundurën të të çojnë në Budapest…”
“Eh, Dhuratë, Dhuratë…”, dëgjuam atë zë të shuar, futur në një vështrim po aq zë tillë, “Por nuk më vjen kaq keq për gjërat… As për djemtë… Ata u rritën, janë të mirë…Të kanë ty…! Më vjen keq, për fëmijtë e tjerë që po i lë jetim e në mes rruge, pa u dhënë jetën në faqet e librave…”

“Kovi…, po çfarë ke kështu, sot…?”, fliste përlotur mamaja, duke ia bërë me kokë për nga ne të dy, mbledhur një grrusht. “Kovi, të lutem, të përgjërohem, forca! Nesër me Petraqin do ikësh dhe do kthehesh nga andej, më i fortë se kurrë…!
Ai ngriti sytë, na vështroi me atë buzëqeshjen ku kish aq trishtim, sikur të na thonte: “Eh, po ku ta gjej atë forcë, Dhuratë, ku ta gjej…?”.
Mëma pështeti kokën tek e tija dhe seç i pëshpërrinte në vesh, duke e mbuluar me jorganin që i binte orëeçast nga lëvizjet e pavullnetëshme dhe nga vështirësia e frymëmarrjes së tij.

Ne të dy vëllezër, rrinim pa ditur çfarë të bënim, çfarë të thonim; të pafuqishëm ndaj asaj “diçkaje” që ish aq afër, futur thellë atij shtrati dhe mbulesash, sikur të donte të fshihej nga sytë e gjithkujt që rrinte përreth atij shtrati; brënda atij trupi, brënda asaj frymëmarrje me ndërprerje, e cila ndalte një hop e pastaj rrimerej e sikur kërkonte shpëtim tek lulëzat e shpërthyera të Mimozave…
Ishte data 17 Shkurt i vitit 1979….

Që në mëngjes, Petraqi (Xoxa) erdhi me një grup doktorësh e infermierësh, të cilët e ngritën në krahë babain dhe e shtrinë në një krevat portativ, pastaj e çuan tek ambulanca që po e priste tek shkallët e daljes së Spitalit. Mamaja u kujdes, që me mimozat e freskëta të asaj dite, të rrethonim të tre tok kokën e babait, i cili, atë ditë nuk po mund’te dot, as të hapte sytë…

Atë ditë, në fluturim për Budapest, midis tokës e qiellit, me duart shtrënguar fort me ato të Petraqit, babai, ndoshta po e ndoshta jo, u përpiq të bënte përpjekjen e tij të fundit për të qëndruar në jetë, e të rimerrte frymë! Dhe po ashtu, midis qiellit dhe tokës, pa mundur dot për asnjë çast t’i hapte syte, ai dha shpirt në krahët e njërit prej njerëzve më të dashur të jetës, Petraq Xoxës.

Trupi u kthye në Tiranë dy ditë më vonë, kur dhe u bënë homazhe dhe më pas varrimi, në kodrinat e ulëta të Sharrës.
Një ditë më parë, në shtëpinë tonë, rënë në zi prej lajmit, kish hyrë Petraqi e në dënesë, e mori mamanë në grykë dhe qau me lot dhe gjatë shumë gjatë, bashkë me ne! Mundi vetëm të thonte në përçart: “Nuk e shpëtova dot, Dhuratë…! Nuk e shpëtova, dot…! Iku atje në qiell, nuk di, nuk di si u shua ashtu, kur dora i ra poshtë, nga të miat…”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: