Presidenti socialdemokrat kolumbian Gustavo Petro të martën u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të respektojnë “sovranitetin kombëtar” të vendit të tij, pasi Donald Trump kërcënoi të urdhëronte sulme ndaj vendeve ku prodhohet kokaina — Kolumbia renditet e para në botë në prodhimin e kësaj substance.

“Mos e kërcënoni sovranitetin tonë kombëtar, sepse do ta zgjoni jaguarin. Sulmi ndaj sovranitetit tonë kombëtar është i barabartë me shpalljen e luftës, mos dëmtoni dy shekuj marrëdhënie diplomatike”, paralajmëroi Presidenti Petro nëpërmjet X.

Më parë, Presidenti i SHBA-së Trump paralajmëroi se çdo vend që prodhon kokainë të shitur në SHBA është në rrezik të “sulmohet”.

Ushtria amerikane ka nisur një seri sulmesh në Karaibe dhe Paqësor që nga fillimi i shtatorit kundër anijeve që Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thonë se transportonin drogë, duke synuar në veçanti Venezuelën. Më shumë se 80 persona janë vrarë në sulme.

Presidenti Petro i ka denoncuar sulmet, duke i quajtur ato “vrasje jashtëgjyqësore”.

Kolumbia “prodhon kokainë, ka laboratorë prodhimi kokaine dhe na shet kokainë, të cilën e vlerësojmë shumë”, tha Trump dje me sarkazëm.

“Kushdo që e bën këtë dhe shet në vendin tonë mund të sulmohet… Jo vetëm Venezuela”, shtoi ai, duke iu drejtuar shtypit.

“Nëse ka ndonjë vend që ka ndaluar konsumimin e mijëra ton kokainë nga amerikanët e veriut, ai është Kolumbia”, kundërshtoi Petro.

Donald Trump akuzon homologun e tij kolumbian se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar trafikun e drogës – ai shkoi aq larg sa e quajti atë një “lord droge” – dhe qeveria e tij ka vendosur sanksione ekonomike dhe udhëtimi ndaj z. Petro dhe atyre pranë tij, ndërsa e ka hequr Kolumbinë nga lista e vendeve që i konsideron aleate në luftën kundër trafikut të drogës, duke e privuar atë nga qindra miliona dollarë fonde.

Nga ana e tij, Gustavo Petro akuzon homologun e tij amerikan se po ndërhyn në punët politike të vendit të tij me qëllim që të ndikojë në opinionin publik në mënyrë që e majta të rrëzohet nga pushteti në zgjedhjet e vitit 2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb