Këshilli Botëror i Paqes themeluar nga Sheikh Kasem Bader dhe Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet me Guvernator Dr. Shefki Hysa organizuan në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Paqes, me mbështetjen e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe të gjitha komuniteteve fetare në vendin tonë. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj dha mesazhe paqeje, duke përmendur rolin e klerit në Shqipëri për drejtimin e besimtarëve në udhën e drejtë. Ai u ndal te lufta në Ukrainë dhe nevoja që njeriu të ushqejë ndjenja vëllazërore.

Kreu i Këshillit Universal të Paqes me seli në Amerikë dhe Izrael, Sheikh Kasem Bader u shpreh se edukimi është çelësi që në çdo vend të botës të ekzistojë paqja. “Jam i lumtur të gjendem në vendin e traditave dhe i mahnitur nga mikpritja. Qëllimi është të përhapim misionin dhe fjalën e paqes kudo në botë. Edukimi është çelësi kryesor i suksesit dhe përhapjes së paqes. Vetëm kështu ecën paqja përpara. Ky është dhe qëllimi ynë kryesor për të cilën po lobojmë fort.”, tha Sheikh Kasem Bader.

Pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës thanë se kishin dëgjuar për Shqipërinë si vend i konflikteve, por në fakt gjetën diçka tjetër. Ata u shprehën se Shqipëria është shembull i paqes dhe nënvizuan se duan ta shohin sa më shpejt pjesë të Bashkimit Europian. Kongresi bën bashkë partnerë ndërkombëtarë, organizata dhe personalitete të tjera të shquara te fushave te ndryshme, për të diskutuar rëndësinë e paqes, shmangien e luftës, duke përfshirë pjesëmarrjen dhe pikëpamjet e liderëve rinorë, rolin dhe fuqinë që ata kanë për të ndikuar në të ardhmen për Paqen Botërore. Kongresi i paqes i kushtoi vëmendje edhe xhubletës shqiptare qe tashme ruhet nga UNESCO dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb