*Rama: Presim rekomandimin per çeljen e negociatave!
BRUKSEL- “Reforma në drejtësi është vendimtare. Nuk është vetëm votimi, por dhe implementimi. Kemi parë që janë dhënë dënime, por më lejoni të them, për peshq të vegjël. Presim peshq të mëdhenj”. Ky ishte mesazhi qe Bashkimi Europian i percolli sot kryeministrit Edi Rama ne Bruksel.
Një konferencë të përbashkët e Zëvendëspresidentes së BE-së, Federica Mogherini, Komisionerit për Zgjerimin e BE-së Johanes Hahn dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama u mbajt menjëherë pas takimit të VIII të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit Shqipëri-BE. Ndërsa zyrtarët e lartë e vunë theksin tek zbatimi i reformës në drejtësi, kryeministri Rama tha se shpresonte tek hapja e negociatave për integrimin në BE.
“BE iu jep mbështetje për zbatimin e reformës në drejtësi. Partitë të zbatojnë reformën. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Shqipërinë në zbatimin e saj”, tha Mogherini.
Në një mendje me të ishte edhe komisioneri Hahn kur tha se: “Kjo reformë është arritje e pabesueshme por të kuptojmë që qëllimi është të afroheni me BE, por kryesoja është t’i shërbeni qytetarëve shqiptarë, t’i jepni atë që presin. Këtë reformë e kërkonin mbi 95% e shqiptarëve”, theksoi Hahn.
“Reforma ne gjyqësor nuk ka të bëjë thjesht me plotësimin e kerkesave në letër, por ne duhet te presim tani qe të veprohet ne praktike, me të dhëna konkrete sa i takon investigimeve. Duhet të ketë procedime penale dhe dënime. Ne duam të shikojmë, se deri tani kemi parë disa gjyqe dhe vendime kryesisht për çeshtje mesatare ose të vogla, nderkohe qe ne presim per peshqit e medhenj, dhe kjo do te jetë një arritje e madhe”, deklaroi Hahn.
Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama tha se në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët për të vazhduar me intensitet në rrugën e nisur. Ai theksoi se me kalimin e ligjit të vetingut Shqipëria mund të shpresojë për rekomandimin.
“Të ecim përpara, të bashkëpunojmë më ngushtë me reformat kryesore. Shpreh besim nëse zbatimi i vazhdueshëm i reformave kryesore veçanërisht në drejtësi, që është edhe bazë për hapjen e bisedimeve reforma që ka kaluar, vetingu është një bazë solide për ta marrë rekomandimin…Shpresoj se me miratimin në korrik të amendamenteve është një argument i rëndësishëm për të dhënë rekomandimin për Shqipërinë që të përgatisë bisedimet për anëtarësim. Me ligjin e vetingut hodhëm një hap për zbatimin e refomrës. Të gjithë e dimë që drejtësia është bazë për hapjen e negociatave për anëtarësim”.
Rama drejton takimin e VIII të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit Shqipëri-BE
Në orën 11.00 nisi në Bruksel takimi i Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, i drejtuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në takim referoi Zëvendëspresidentja e BE, Federica Mogherini, komisioneri për Zgjerimin Johanes Hanh, ministri Bushati, ministrja Gjosha dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit Majlinda Bregu.
Në thelb të takimit ishin diskutimet mbi arritjet dhe progresin e vendit tonë gjatë këtij viti në kuadër të përmbushjes së 5 prioriteteve për integrimin. Delegacioni shqiptar kryesohet nga kryeministri Rma, të pranishëm janë dhe ministrat Klajda Gjoshaj dhe Ditmir Bushati.
Pak para takimit kryeministri Rama u prit nga shefja per politikën e jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini si dhe komisioneri Johanes Hanh. Në një intervistë për News 24 pak ditë më parë Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, u shpreh optimiste për një vlerësim pozitiv në raportin e progresit për 2016, që do të finalizohej sipas saj pse jo me hapjen e negociatave. “Kemi konkluduar dy nga kushtet themelore për çeljen e negociatave që janë reforma në drejtësi që u kalua me konsensus tejet të gjerë 140 vota dhe ligji i vettingut që i hap rrugë implementimit të reformës dhe gjithë skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ku fillon dhe reforma në drejtësi. Do shpresonim në një vendim pozitiv”,- është shprehur Gjosha.
A mund të presë Shqipëria që të hapë negociatat para zgjedhjeve të ardhshme?
Hahn: Është shumë herët për të dhënë një deklaratë finale. Kjo është detyra e progres raportit tonë. Na duhen konsultime të brendshme për të zbatuar një vlerësim të saktë. Por besoj se ishte e qartë se jemi të angazhuar plotësisht për një hap pozitiv përpara. Por kur flasim për momentin për të ruajtur këtë karakter dhe për të gjetur elementet shtesë për të ruajtur këtë moment, vendimin e 21 korrikut duhet të ketë zbatime që të bëhen në kohën e duhur që të na garantojnë se reforma në gjyqësor nuk është vetëm në letër por edhe në realitet.
Mogherini: Jetike reforma dhe ka nisur në mënyrë mbresëlënëse gjatë verës. Mendoj se të gjitha palët dhe institucionet në Shqipëri treguan në fund zgjuarsinë dhe kurajën për të dhënë votën unanime. Këto institucione dhe parti kanë detyrimin të zbatojnë pritshmëritë e popullit. Mendoj se do të vazhdojmë në një rrugë pozitive që kemi përjetuar këto muajt e fundit.
Rama: Nuk mendoj se ka jetë pa kushte nën çadrën e BE-së. Dua të kujtoni se një vend i madh u largua nga ky kushtëzim. Rekomandimi nuk është stacioni i fundit por është një rrugë që duhet ndjekur deri tek stacioni i fundit. Nuk ka ndonjë dallim dhe për sa i përket dëshirës sime për t’u bërë anëtarë të BE-së brenda 10 vjetëve, nëse BE do të jetë aty atëherë mund të ecim më shpejt.
Ramës: A keni një projektligj për reformën zgjedhore dhe si po shkon zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, pse se kryebashkiakë si Roshi janë ende në detyrë?
Komisionerit Hahn: A jeni i shqetësuar për nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, pasi raporti i TIA-s thotë se Shqipëria ka nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon. Përveç kësaj ka një situatë shqetësuese në rritje për drogën në vend. Ka raporte të shërbimeve inteligjente, italiane, gjermane dhe ato të vendit se ka 363 plantacione droge dhe se disa nga këto plantacione mbrohen nga njerëz të armatosur dhe të lidhur me inspektorë policie?
Rama: Së pari nuk ekziston ndonjë raport i shërbimeve inteligjente nga Gjermania apo Italia. Lufta kundër drogës po shkon çdo vit në drejtimin e duhur. Po bashkëpunojmë shumë pranë me policinë italiane.
Përhapja e kultivimit të drogës nuk është diçka e re por ka një histori të gjatë që po ecën ngadalë dhe po ecën drejt fundit çdo vit.
Për sa i përket reformës elektorale nuk kemi në plan të miratojmë një kod të ri në parlament por kemi në plan të ndryshojmë sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR në bashkëpunim edhe me opozitën.
Sa për dekriminalizimin gjithçka varet nga institucionet ligjore për t’u implementuar. Ligji është i barabartë për të gjithë, ndaj varet nga institucionet për të vendosur për këdo. Dua të nënvizoj se kemi një shprehje në Shqipëri si “U mbars mali e polli një mi” (The mountain got pregnant and a mouse was born).
Pra duket se ky ligj ka shërbyer për ta bërë të qartë dhe transparente se ajo që u tha se ishte një mal i mbarsur, ishte veç një mi.
Mogherini: Në Itali thonë “La montagna a partorito un’ topolino”. Për sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit është një çështje që Shqipëria por jo vetëm Shqipëria duhet ta zgjidhë dhe ajo që shoh është një vendosmëri e fortë për ta zgjidhur. Puna po ecën. Është një çështje që ne i japim rëndësi që të përmirësohet situata jo për integrimin por kryesisht për qytetarët e Shqipërisë që kanë të drejtën e plotë që të jetojnë në një vend që nuk ka të tilla eksperienca”, tha ajo.
Hahn: Ne e kemi që malet kanë lëvizur,, nuk e di se si është e mundur, por jo që polli një mi dhe gjermanët ndonjëherë kanë fantazi. Mendoj se reforma në gjyqësor është baza ndaj nuk ka të bëjë thjesht me zbatimin në letër ndaj duhet të kemi veprime konkrete. Sa i përket investigimeve dimë që policia në rajon është shumë e mirë por ka probleme në gjyqësor”, u shpreh Hahn.
Pse është e rëndësishme për BE që të nisin negociata, pse nxitoni?
Rama: BE ka nevojë për Ballkanin që të jetë më i sigurt
Mogherini: Për të shtuar 3 gjëra, sigurinë sigurisht. Është Europë, nevojitet stabilitet, paqe. E dyta ndajmë të njëjtën gjeografi, duke ndarë të njëjtin territor e shikojmë si menaxhohet situata. E treta është ekonomia, tregtia, investimet dhe lidhjet që kemi me vendet e rajonit. Potenciali është shumë i madh për t’u shfrytëzuar.
(ma.ar/m.k/BalkanWeb)