Edhe sot gazetarët e News24, prej 7 ditësh sot, nuk janë lejuar të hyjnë në godinën e Panorama Tv, ku për këtë ka një kontratë që skadon në 2033.
Shoqëria shtetërore “Kayo”, thotë se ne nuk kemi pretendime dhe s’i kemi penguar gazetarët të hyjnë në atë godinë. Ndërsa Policia Ushtarake nuk na lejon të hyjmë në redaksitë tona, që do na mundësonin të dilnim në transmetim. Pa asnjë arsye, pa asnjë shkak. Është e paprecedentë një situatë e tillë.
Nga ana tjetër, mesazhi i OSBE është një shuplakë e qartë për ata që po shkelin lirinë e medias në Shqipëri.
Kur një organizatë ndërkombëtare thotë se mosmarrëveshjet për pronën nuk mund të përdoren si justifikim për të mbyllur papritur transmetimet mediatike, është një paralajmërim i hapur se këtu po kryhet një akt censure.
Ky nuk është vetëm një problem i News24, është një test për demokracinë dhe për respektimin e të drejtave themelore në vend.
