Në 15 qershor të këtij viti trupi gjykues i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë i përbërë zz. Panda, Boksi e Bici ka marrë vendimin 1001 mbi çështjen e Bazës Detare Limion, Sarandë duke pëmbledhur dhe konfirmuar vendimet e gjykatave të apelit e të faktit. Gjykata konkludon se dhënia me qira (1 euro për 20 vjet) e kësaj baze detare një konsorciumi biznesi privat “vë në rrezik sigurinë kombëtare dhe detyrimet që shteti shqiptar ka ndaj NATO apo organizmave të tjerë ndërkombëtare”.

1.Kur gjyqësori zëvendëson ekzekutivin
Në dy shënime në v2022 kam theksuar se privatizimi de facto i Bazës Detare Limion, përveçse i kundraligjshëm dhe me gjasë korruptiv, është edhe një dëm i madh kundrejt mbrojtes kombëtare që po ndodh pikërisht kur po davariten iluzionet e paqes permanente mbas rënies së Perdes së Hekurt në Europë. Mospasja e një baze detare Limion do të thotë se Shqipëria nuk do të mundet të jetë efektive në operacione kërkim-shpëtimi, ligj-zbatuese apo qoftë edhe urgjente luftarake në kanalin e Korfuzit dhe ujrat territoriale në veri të tij ku trafiku i anijeve është intensiv (ndërhyrja nga baza detare më e afërt, Pasha Limani, vonon jo pak). Gjithashtu kam shënuar se tërë ata patriotë që vetëtijnë për kufirin detar me Greqinë por mbyllin sytë para dëbimit të Forcës Detare shqiptare nga brigjet e Jonit duken disi hipokritë. Në fund të fundit ke sovranitet mbi territorin vetëm kur ke kontroll efektiv mbi të. Ky është parimi i vitit 1702 tashmë i gjithëpranuar (“Deti yt është deri aty ku arrijne gjylet e topave të tu” sipas Cornelius Bynkershoek në traktatin e tij “De dominio maris”). Këtë digresion nuk e bëj për kënaqsinë që tre gjykata të Republikës e konfirmuan shqetësimin tim. Por sepse këto gjykata me vendimin Limion kanë krijuar një precedent interesant. Në monarkitë absolutiste të së shkuarës çështjet e sigurisë, apo siç quhej atëhere lufta e paqja, ishin domen eksluziv i mbretit. Edhe më vonë në shtetet demokratike këto tagra mbetën me qeveritë dhe parlamenteve u rezervoheshin nganjëherë vendime të mëdha si aleancat e shpallja e luftës. Regjimi kushtetues i Shqipërisë nuk bën përjashtim dhe i jep rolin primar Ministrisë së Mbrojtes, Qeverisë e Presidentit të Republikës. Dhe Ministria e Mbrojtjes e Qeveria që janë përgjegjës kryesorë për sigurinë kombëtare bëjnë qokë me një aset të mbrojtes pa miratimin e Presidentit (detyrim ligjor): por ata prapësohen nga gjyqësori, një aktor i pazakonshëm në këtë fushë, i cili sekuestron bazën detare (në fakt kontratën problematike). Është një zhvillim interesant në ndarjen e tre pushteteve dhe raportet mes tyre. Nëse lemë mënjanë dështimin monumental të qeverisë për të përmbushur detyrën kushtetuese.

2.Mbi ministra e gjeneralë
Vendimi prej 37 faqesh i Gjykatës së Lartë përshkruan me detaje sesi Ministria e Infrastrukturës i dha me koncesion konsorciumit privat detin para bazës detare edhe pse Ministria e Mbrojtjes kishte kundërshtuar me shkresë; sesi Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm tentojnë të ndrydhin kundërshtimin e komandantit të Forcës Detare Kapiten i Parë Artur Mecollari (i shkarkuar më pas me sebep koti për t‘u zëvendësuar me një jesmen (yes man) ) pastaj anashkalojnë Presidentin nga i cili prisnin refuzim; se si futen në turli raportesh ekonomiko-ligjore të pashëndetshme me konsorciumin privat, se si formulojnë fjali ambigue në shkresa duke u rrekur të maskojnë paligjshmërinë e të tjera si këto. Lexuesi është njohur nga artikujt investigativë të gazetarëve Ferdinand Dervishi e Klodian Tomorri se batërdi pronësore qeveria ka bërë me të gjitha bazat detare përfshi Pasha Limanin, Kepin e Palit dhe Shëngjinin.

Vendimi i sekuestros preventive është në fakt një vendim anësor i çështjes penale të çelur nga Prokuroria e Posaçme. Objekti i hetimit është shpërdorimi i detyrës ku të dyshuarit e nivelit të lartë janë Ministri i Mbrojtjes e Shefi i Shtabit të Përgjithshëm askohe. Sot që të dy deputetë të Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës. Media ka bërë publike edhe shkresa të Shefit të Shtabit pasardhës që urdhërojnë Forcën Detare të zbatojë kontratën e konsorciumin privat për bazën Limion. Këtë shef shtabi Rama e përzgjodhi për postin më të lartë në shtet. Gjithë afera penale dhe dokumetat e publikuara ngrejnë pyetje serioze mbi përshtatshmërinë në ofiqin publik edhe në rastin e çuditshëm sikur prokurorët të mos i marrin të pandehur këta persona. E çuditshme është heshtja e tyre sepse si ofiqarë, pavarësisht procesit penal, duhet të sqaronin opinionin publik mbi përgjegjësinë e ligjshmërinë e veprimeve të tyre. Këtu përjashtim bën ish Ministri i Mbrojtjes: në përfundim të marrjes në pyetje në Prokurorinë e Posaçme i jep gazetarëve një deklaratë sa noprane aq edhe të sinqertë mbi bazen Limion ku zbulohet edhe botëkuptimi rilindist: “Asetet e dergjura mes ndryshkut po i kthejmë në asete me vlerë”

3.Lehtësia e padurueshme e butaforisë
Do të ishte e padrejtë të përfundonim këtë shënim pa thënë dy fjalë për Edi Ramën. Jo për pandehjen e veprës penale meqë firma e tij është mbi VKM miratuese të dhurimit të Bazës Detare Limion. Por për lehtësinë e padurueshme të butaforisë me çështje serioze.
Që prej vitit 2021 Rama shkresërisht e gojarisht i kërkon NATOs të investojë në një bazë detare në Porto Romano edhe pse aty ku janë ndërtuar dy porte private, po projektohet transferimi I Portit Durrës dhe ku nuk ka hapësirë fizike për një port tjetër. Pa përmendur këtu dyshimet e kritikat për klientelizëm e korrupsion për të cilat me gjasë synohet kopertura e NATOs. Rama ka “harruar” se në v2019 Ministri i Mbrojtjes i ka propozuar NATOs përdorimin e Bazës Detare Pasha Liman e cila po shqyrtohet për përdorime logjistike e jo luftarake. Në fakt e gjithë kjo nuk ka shumë kuptim pasi Adriatiku është faktikisht një liqen i Aleancës dhe NATO i sheh sfidat navale në Detin e Zi, në Detin Balltik e në Oqeanin Arktik. Por ky realitet nuk e ndal dot hovin propozues të Ramës. Vjet e bëri në Tiranë një gjeneral të NATOs i cili heshti me politesë. Para dy javësh në Shkup, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të NATOs Stoltenberg të Rama përsëriti se: i ofronte NATOs “një bazë detare në Porto Romano”!

Nuk jam ekspert në telepati por do të vija bast se z. Stoltenberg, një norvegjez fjalëpak, ndërsa degjonte pa folur ofertën e fundit nga Rama thoshte me vete: “O Zot mëshirëplotë! Ruaji nga babëzia bazat detare të këtij shteti anëtar të Aleancës! Dhe pastaj o Zot më shpëto dhe mua nga këta që duan të më varin në qafë mbetjet e babëzisë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: