Takimi i së shtunës mes Barcelonës dhe Celta Vigo-s prodhoi goleadë për katalanasit që fituan me rezultatin e thellë 5-0, ndërkohë që dy gola të mrekullueshëm shënoi edhe Lionel Messi. Deri këtu jo ndonjë gjë e re, por ajo që ra më shumë në sy ishte festimi i golit të parë nga 29-të vjeçari.
Ylli argjentinas vuri dorën e djathtë pranë veshit dhe bëri sikur po telefononte dikë nga tribuna. Mediat menjëherë spekuluan se fituesi i 5-së herë topit të artë me këtë gjest sinjalizoi drejtuesit e klubit për rinovimin. Messi rrallë herë sillet kështu. Kur shënon, 29-vjeçari zakonisht sheh lart nga qielli dhe ia dedikon golat gjyshes së tij.
Pas ndeshjes, duke parë rrëmujën e madhe që u shkaktua në rrjetet sociale, Barcelona i ka kërkuar yllit të saj të shpjegojë veprimin. Messi ka rrëfyer se “telefonata” e tij ka qenë për një familjar të tijin (një nip), të cilin e kishte telefonuar gjatë gjithë ditës së ndeshjes për ta uruar për një gëzim familjar dhe ky i fundit nuk ia kishte hapur telefonin. Meqë në “Camp Nou” ishte vëllai i “fajtorit” të gjithë kësaj meseleje, Rodrigo, bashkë me djemtë e tij, sulmuesi iu drejtua atyre duke bërë shaka.
Ndërkohë që pas këtij festimi të veçantë të Messi-t në internet ka plasur gallata. Më herët në të njëjtën mënytë pati festuar edhe mbrojtësi i Real Madrid Sergio Ramos.

(e.k/BalkanWeb)
