Megjithëse data është 9 janar, mësuesit nuk i kanë marrë ende pagat e muajit dhjetor.

Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Alma Lama tha sot në një intervistë për News 24, se vonesat e rrogave në Janar janë bërë tashmë të përvitshme.

“Pagat duhet të kishin kaluar në 4-5 janar. Sektori ekonomik duhet ta ketë kaluar pagën e dhjetorit në thesar. Është thesari ai që po e vonon. Ne duhet të kishim pagat”, tha Lama.

Nga ana tjetër Fiqiri Çifliku si përfaqësues i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të  Arsimit Parauniversitar, u shpreh se brenda ditës së nesërme, të gjithë mësuesit do të kenë në llogaritë e tyre jo vetëm pagat, por edhe shtesën që ka përcaktuar qeveria në fund të vitit.

“Situata është e përvitshme për pagën e janarit. Prej 20 vitesh thesari vepron në mënyrë të përqendruar. Në datën 4-6 është punuar intensivisht në përgatitjen e pagave dhe një pjesë e zyrave i ka çuar pagat në thesar në 5 dhe një pjesë në 6. Kjo situatë brenda ditës së nesërme është e ezauruar tërësisht. Nesër do ketë në llogari jo vetëm pagën por edhe shumën që ka përcaktuar qeveria në vlerën 10 apo 20 mijë lekë”, tha Çifliku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb