Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka ankimuar në Apelin e GJKKO vendimin e marrë më 5 janar, lidhur me masën e sigurisë të marrë prej tij.
Me vendimin e marrë me 5 janar nga Gjykata e Posaçme, u la vendimi për masën e sigurisë arrest me burg për Metën.
Mësohet se ankimi është regjistruar në Apelin e Posaçëm më 26 janar.
Ish-Presidenti akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.
Hetimi është regjistruar në vitin 2019 në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda bazuar në kallëzimin penal të depozituar nga juristi Romeo Kara lidhur me veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në zbatimin e kontratës së CEZ-DIA. Në vitin 2022, dy kallëzime të tjera janë depozituar në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri dhe avokati Ideajet Beqiri, kallëzime këto që janë bashkuar në një çështje. Procedimi i bashkuar është emërtuar me numrin.55 të vitit 2019.
Ilir Meta është një nga figurat qëndrore të politikës shqiptare dhe përgjatë tranzicionit ka mbajtur postet më të larta shtetërore si kryeministër (1999-2002), kryetar i Kuvendit (2013-2017) dhe President i Republikës (2017 -2022). Pas largimit nga Presidenca, Meta rimori kontrollin e partisë së themeluar prej tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI dhe i ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.
Për gjetjen e provave ndaj Metës, SPAK deklaroi se kishte bashkëpunuar me autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros. Përmes tyre, SPAK pretendon se ka provuar ndikimin e ushtruar nga Meta në cilësinë e ish-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory”, DIA dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, që kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
Sipas prokurorisë, këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura, kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.
“Përmes kësaj marrëveshjeje, DIA ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, vlerë që është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas SPAK, hetimet e deritanishme kanë zbuluar se i hetuari Ilir Meta kur mbante funksionin e ministrit, ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Ismailaj, pronar i kompanisë DIA.
Meta akuzohet se ka konsumuar veprën penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se Meta, në sajë të funksionit të tij si kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Kryemadhi si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.
“Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Për këtë episod akuzohet edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho për veprën penale të korrupsionit pasiv.
