Deputetja Erisa Xhixho deklaroi se çështja ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta është një proces politik, duke akuzuar për standarde të dyfishta në trajtimin e drejtësisë.
Në programin e drekës, në News24, Xhixho tha se Meta po mbahet në burg në kushte që bien ndesh me ligjin, ndërsa i kufizohet komunikimi me median, deputetët, eurodeputetët dhe familjarët e tij, pavarësisht vendimeve të Avokati i Popullit që i cilësojnë këto kufizime si të paligjshme. Ajo shtoi se arrestimi i tij është kryer “në mënyrë të paprecedentë”, duke e quajtur një rrëmbim në mes të rrugës pa identifikim.
Xhixho ngriti shqetësimin për masën e paraburgimit, duke theksuar se një përqindje e lartë e të paraburgosurve janë ende të prezumuar të pafajshëm. Sipas saj, Meta nuk përbën rrezik dhe i është përgjigjur gjithmonë drejtësisë sa herë është thirrur.
Në të njëjtën kohë, Xhixho akuzoi figura të larta të mazhorancës, përfshirë ish-zv/kryeministren Belinda Balluku, se ndodhet në liri pavarësisht akuzave, duke pretenduar se kanë ushtruar ndikim dhe intimidim ndaj dëshmitarëve.
Deputetja bëri me dije se më 8 prill çështja e Metës do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa paralajmëroi se në vijim do t’i drejtohen edhe Gjykatës së Strasburgut.
“E vërteta do të triumfojë”, u shpreh Xhixho, duke shtuar se kjo situatë nuk i dekurajon, por i motivon në atë që ajo e cilësoi si një betejë politike dhe ligjore me mazhorancën.
Erisa Xhixho: Për Ilir Metën kemi të bëjmë me një proces politik, është e vërtetuar, sot që flasim pengohet të flasë në media, me deptuetët, eurodeputetët, të takojë familjarët e tij edhe pse ka 2 vendime të Avokatit të Popullit që thonë se qëndrimi ishte i paligjshëm, është rrëmbyer në mes të rrugës me maska dhe pa mjete identifikuese. Fakti që nuk i lejohen më shumë se 4 takime në muaj, Avokati i Popullit ka thënë se është antiligjore. Të lësh zv/kryeministren, të gjithë pushtetshme e cila e përfshirë edhe e akuzuar nga SPAK-u dhe është e lirë… Në 8 prill jemi në Gjykatën Kushtetuese për masën dhe mënyrën e arrestimit, uroj që anëtarët e GJK të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të veprojnë mbi bazën e fakteve dhe ligjit. Pastaj do të jetë Strasburgu, të vërtetat e zotit Meta do të triumfojnë në Strasburg. Me paraburgimin jemi në situatë alarmante, 60% e të dënuarve sot janë në paraburgim, janë të prezumuar të pafajshëm. Zoti Meta sa herë i është përgjigjur drejtësisë, sa herë është thirrur ka dhënë deponimet, nuk përbën asnjë rrezik… ke zv/kryeministren që emëron gjysmën e qeverisë, drejtora etj, njeriu më i pushtetshëm i asaj mazhorance, ka prishur prova e ka intimiduar dëshmitarë me fakte dhe mbahet në liri, ndërkohë z.Meta vijon në izolim politik. Por absolutisht nuk na deprimon, ne kemi përballë një regjim dhe ai është më i motivuar se kurrë në këtë betejë dhe në triumfin e të vërtetave të tij.
