Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë për nesër vendimin për ankimin e ish-presidentit Ilir Meta kundër pezullimit të afateve të paraburgimit.
Seanca u zhvillua me relatore gjyqtaren Saida Dollani. Në nisje, Meta u soll sërish në kafaz, ndërsa avokati i tij kërkoi që ai të ulej pranë avokatit. Gjykata pranoi kërkesën dhe urdhëroi nxjerrjen e Metës nga kafazi.
Avokati i ish-presidentit argumentoi se vendimmarrja për pezullimin e afateve duhej të ishte një vendim i arsyetuar dhe jo një urdhër, në mënyrë që të mund të ankimohej. Sipas mbrojtjes, ankimi është bërë brenda afatit ligjor dhe Gjykata e Shkallës së Parë ka cenuar të drejtën e tij për ankim.
Ish-kreu i shtetit Ilir Meta u shpreh se i qëndron ankimit dhe theksoi se nuk ka munguar në seancat gjyqësore, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Meta kundërshtoi pezullimin e afateve të paraburgimit për shkak të shtyrjeve të procesit, duke argumentuar se vonesat nuk kanë ardhur për shkak të tij. Sipas tij, ai ka qenë gjithmonë i interesuar që gjykimi të vijojë.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, kërkoi që ankimi të mos pranohet. Ai argumentoi se vendimi për pezullimin e afateve është marrë më 27 prill, ndërsa ankimi është paraqitur në korrik.
Prokurori tha gjithashtu se praktika gjyqësore është e konsoliduar dhe se mjafton mungesa e njërit prej avokatëve që afatet e paraburgimit të pezullohen për të gjithë të pandehurit. Sipas tij, vendimmarrja e GJKKO-së ishte e bazuar në ligj dhe nuk mund të prishet nga ky trup gjykues.
Në përfundim të debateve, Gjykata e Posaçme e Apelit u tërhoq në dhomën e këshillimit. Vendimi do të shpallet nesër, më 17 shtator, në orën 14:00.
