TIRANE- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është ndalur pasditen e sotme në qytetin e Fierit, ku ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë, në kuadër të fushatës zgjedhore për Kryetarin e ri të LSI-së dhe të Konventës Kombëtare. Teksa theksoi se LSI është në rrugë të drejtë drejt konsolidimit si parti, Meta tha se forca politike që ai drejton po punon që t’i japë zgjidhje problemeve të qytetarëve.
“Do të thotë forcim i dialogut politik dhe i bashkëpunimit. Sepse pa stabilitetit politik nuk mund të ketë as zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social dhe as një terren solid për të realizuar me sukses reforma të cilat përfshijnë shtresat më të rëndësishme të shoqërisë që kanë nevojë për solidaritet dhe për përkrahje. Dhe në këtë drejtim, unë besoj se ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, edhe pas votës që të gjithë anëtarët e LSI do të shprehin në 6 nëntor jo vetëm për kryetarin e ardhshëm të LSI, por edhe për delegatët për në Konventën Zgjedhore”, tha Meta.
Kryetari i LSI-së u shpreh se në politikë nuk duhen dejonizuar kundërshtarët, por duhen bërë përpjekje për të “humanizuar” politikën dhe për ta vëmë atë në shërbim të njerëzve.
“Janë bërë reforma të rëndësishme. Por është e rëndësishme në të ardhmen që reformat të jenë edhe më gjithëpërfshirëse në mënyrë që ato të kenë efekte edhe më të qëndrueshme dhe askush të mos lëndohet padrejtësisht. Është e vërtetë që reformat janë të dhimbshme, dhe ato sjellin dhe dhimbje për shtresa të caktuara, për qytetarë të caktuar, por asnjëherë nuk duhet të kemi lëndime dhe dhimbje të padrejta. Atëherë kur ato ndodhin janë të domosdoshme me qëllim vërtet për të shpëtuar njëherë e mirë nga vështirësitë dhe problemet në të ardhmen”, tha Meta.
Gjatë bashkëbisedimit me strukturat e LSI-së në Fier, Ilir Meta shprehu besimin se ka ende shumë për të përmirësuar, për të qenë më të dëgjueshëm, me të gjithë qytetarët, për të qenë shumë transparent me ta dhe absolutisht që në të ardhmen rritja e LSI do të varet shumë dhe nga rritja e cilësisë së përfaqësimit të saj në të gjitha nivelet.
Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, Meta theksoi se është e rëndësishme që të ecet përpara me këtë reformë të rëndësishme, ku LSI ka luajtur një rol konstruktiv. Gjithashtu, Kryetari i LSI-së vlerësoi se një tjetër angazhim i LSI-së do të jetë edhe zbatimi i plotë i dekriminalizimit, jo thjesht si një legjislacion dhe si një set kriteresh dhe standardesh, por si frymë, një domosdoshmëri për të rritur besueshmërinë te politika shqiptare, tek institucionet publike te të zgjedhurit.
Më herët Meta u takua edhe me strukturat e partisë në Lushnjë, i shoqëruar nga Zv.Kryetari i LSI-së Petrit Vasili dhe deputetët Kejdi Mehmetaj e Robert Bitri. Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ftoi të gjithë përfaqësuesit e kësaj force politike që të angazhohen maksimalisht në këtë moment të rëndësishëm të riorganizimit në të gjithë vendin.
“Do të doja t’i ftoja të gjithë përfaqësuesit e LSI-së së Lushnjës për të vlerësuar sa më seriozisht këtë moment riorganizimi dhe ripërtëritje të LSI-së në të gjithë vendin, në prag edhe të zgjedhjeve të 6 nëntorit, jo vetëm për kryetarin e LSI-së, por edhe për delegatët për në Konventën Zgjedhore Kombëtare të LSI-së, që do të zgjedhë gjithashtu të gjithë drejtuesit e rinj të LSI për katër vitet që vijnë. Dhe njëkohësisht do të diskutojë dhe çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me programim, me angazhimin tonë të deritanishëm në qeverisjen e vendit, por edhe për të ardhmen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e ardhme e cila është e lidhur ngushtë edhe me mbarëvajtjen e të gjithë punëve në vendin tonë”, tha Meta.
Kryetari i LSI-së theksoi se pa stabilitet politik nuk ka dhe nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.
“Pa stabilitet politik nuk ka dhe nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit. Nuk mund të ekzistojë shtrati dhe terreni i qëndrueshëm për të çuar përpara reforma, që përmirësojnë jetën dhe standardet e qytetarëve tanë kudo. Prandaj LSI-ja, në mënyrë të qartë ka qenë refuzuese ndaj çdo retorike konfliktuale të panevojshme. Sepse kanë kaluar 26 vjet dhe vendi nuk ka më nevojë për një politikë përjashtuese, por ka nevojë për një politikë bashkëpunuese, politikë që nuk bazohet tek demonizimi i kundërshtarit, por te vetë humanizimi i politikës. Tek angazhimi i saj për të zgjidhur çështje konkrete, çështje të cilat shqetësojnë një komunitet, shqetësojnë një lagje qyteti, një fshat apo çështje që shqetësojnë qoftë edhe një qytetar që ka nevojë për përkrahjen dhe për vëmendjen e politikës”.
Kryetari i LSI-së renditi një sërë reformash të rëndësishme që janë miratuar së fundmi. Meta vlerësoi se është shumë e rëndësishme jo vetëm që të bëhen reforma, por ka shumë rëndësi dhe mënyra e konceptimit dhe mbi të gjitha e zbatimit të tyre.
“Gjatë kësaj kohe janë bërë reforma të rëndësishme si reforma administrative-territoriale, është vendosur themeli kryesor i reformës në drejtësi, që është Kushtetuta e re e vendit e miratuar me konsensus. Janë bërë reforma të tjera në shumë fusha të rëndësishme. Ato kanë dhënë një impakt, pritet të japin mpakte më të prekshme në të ardhmen. Por nga eksperienca e deritanishme del qartë që është shumë e rëndësishme jo vetëm të bëjmë reforma, por ka shumë rëndësi dhe mënyra e konceptimit dhe mbi të gjitha e zbatimit të tyre. Që do të thotë se një reformë është e suksesshme dhe është jetëgjatë kur ajo prodhon efektet maksimale, pozitive në interes të shoqërisë, komunitetit apo të kategorisë sociale, pra të grupeve të interesit”, u shpreh Meta.
Gjithashtu, Kryetari i LSI-së deklaroi se rritja e LSI-së është një fenomen i pandalshëm që u tregua qartë në zgjedhjet e 2013 dhe që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Z. Meta u shpreh se LSI është forca më e dedikuar për stabilitetin e vendit, sepse pa stabilitet nuk ka asnjë garanci për zhvillimin e gjithë vendit.
“LSI është forca më e dedikuar për stabilitetin e vendit, sepse pa stabilitet nuk ka asnjë garanci për zhvillimin e gjithë vendit. Kjo është detyrë e të gjithëve që ta rrisim këtë forcë dhe jo vetëm ta rrisim por edhe të përmirësojmë më tek cilësinë e përfaqësimit të saj kudo, sepse është shpresa më e madhe për përgjegjshmëri në këtë vend, për llogaridhënie dhe për reflektim”, tha ndër ai ndër të tjera.
(el.sp/BalkanWeb)
