Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një mesazhi me audio, ka mbajtur fjalën në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PL, ku ka përshëndetur koalicionin opozitar së bashku me 25 parti të tjera aleate të opozitës.

Meta u shpreh se në këtë koalicion, Partia e Lirisë do të përfaqësohet në bazë të mandateve të fituara në Prill 2021.

“Vendimtare është fitorja e koalicionit, i cili është më i gjeri dhe më përfaqësuesi.

Ajo që është më e rëndësishmja në marrëveshjen e koalicionit janë të pestë prioritetet e Partisë së Lirisë. Por duhet të shpreh bindjen time se me mënyrën e përfaqësimit dhe organizimit që ka zgjedhur Kryesia e Partisë së Lirisë, ne do të kemi në çdo rast një grup parlamentar dyshifror.

Për këtë na duhet që në listat e hapura të përzgjedhim kandidatë sa më përbashkues dhe përfaqësues”, u shpreh Meta.

Sipas presidentit të PL, Ilir Meta, është shumë më e rëndësishme që koalicioni të marrë sa më shumë mandate, pasi kjo ndihmon edhe partitë e tjera aleate për të fituar më shumë mandate në listat e hapura.

Presidenti i PL theksoi se ky koalicion do të garantojë rotacionin politik dhe realizimin e programit që ka në fokus dhënien fund të shpopullimit të Shqipërisë.

“Jemi krenarë se 20 vjet më parë, me krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, garantuam jo vetëm rotacionin politik në vend, por edhe ndihmuam në zhbllokimin e Integrimit Europian të vendit.

Ne do të jemi edhe më krenarë në 12 Maj për përmbysjen e Narkoregjimit dhe të Narkoekonomisë, që jo vetëm kanë dëbuar 1 milionë shqiptarë, por edhe aktualisht kanë zhytur në varfëri ekstreme 42% të popullsisë së mbetur”, tha Meta.

(Balkan Web)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb