TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk do të japë dorëheqjen por do të jetë në detyrën e caktuar deri në mbarim të mandatit. Kështu ka deklaruar sot Kreu i Shtetit para mediave. Ai tha se nga Presidenca do të fillojë ringritja e Republikës dhe se Shqipëria nuk do të bëhet koloni e asnjë fondacioni ndërkombëtar. Presidenti theksoi se zgjedhje më 30 qershor ligjërisht nuk ka dhe nuk do të ketë.

“Edhe sikur të bëheshin zgjedhjet që nuk ekzistojnë më ligjërisht të 30 qershorit pa opozitën, edhe sikur gjithë populli opozitar që s’do të merrte pjesë, të dilte të duartrokiste ata që do të shkonin të votonin pa kandidatë alternativë, e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një të ardhme të paditur për një kohë shumë të gjatë. Zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal të kritereve të Kopenhagenit por jo vetëm kaq por Shqipëria do të dënohej edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut siç ka ndodhur edhe me shumë vende të tjera. Kështu që besoj jam i qartë, nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë ambasadë, në asnjë vend, në asnjë fondacion. Kam anuluar zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë para gjithë shqiptarëve këtu. Besoj të gjithë e kanë pasur të qartë. Kam bërë përpjekje të vazhdueshme për dialog midis të dyja palëve. Kam paralajmëruar në 24 maj që jam i gatshëm për t’i shërbyer dialogut për të rishikuar datën e zgjedhjeve, i keni parë reagimet si kanë qenë. Kam krijuar këtë mundësi por zgjedhje më 30 qershor ligjërisht nuk ka dhe nuk do të ketë”, tha Meta.

I pyetur nëse do të ishte më mirë të jepte dorëheqjen për të mos u bërë pjesë e një farse Meta theksoi se do të jetë në detyrë deri në 2022.

“Ky institucion nuk i përket Ilir Metës. Ky institucion i përket Republikës. Ky institucion nuk do të bjerë kurrë, përkundrazi nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës. Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe në asnjë koloni të asnjë fondacioni ndërkombëtar, dakord. Ky është një vend që i takon të gjithë shqiptarëve dhe bashkë do të jemi këtu deri më 24 korrik të vitit 2022, dakord”, deklaroi Presidenti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb