DURRËS- Në kulmin e debateve për çështjen e kufijve dhe pas vizitës së Presidentit serb në Kosovë, Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar sot në Durrës me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për një drekë punë, siç e përshkruan Kreu i Shtetit.
Meta ka publikuar një foto me Thaçin, duke shprehur kënaqësi për takimin, ndërsa thotë se rritja e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është prioritet i përbashkëk. Po kështu Presidenti i Republikës shprehet se në interes të këyre qëllimeve duhet të vijojë dialogu Kosovë-Serbi për të garantuar njohjen reciproke mes dy vendeve.
Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët.
Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme. ????

Nuk dihet nëse dy liderët kanë biseduar sot, gjatë kësaj dreke për korrigjimin e kufijve. Në një deklaratë zyrtare pak kohë më parë Presidenti Meta u shpreh kundër idesë së Thaçit për korrigjim kufijsh.
Prej dy ditësh Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic po vijon një vizitë zyrtare në veri të Kosovës. Mëngjesin e sotëm qytetarë të shumtë në Skënderaj kanë bllokuar aksin rrugor Skenderaj – Mitrovicë, në kundërshtim të vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç në fshatin Banjë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas protestave duke u shprehur se e mirëkupton plotësisht reagimin e qytetarëve të Drenicës, por se në kohën kur është duke bërë përpjekje për paqe dhe pajtim, protestat dhe bllokimi i rrugëve nuk ndihmojnë.
(m.k/BalkanWeb)
