Ish-Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët për Pashkët. Nëpërmjet një mesazhi në Facebook, Meta uron që kjo festë e shenjtë të sjellë sa më shumë shëndet, mbarësi, begati, paqe dhe lumturi në çdo familje shqiptare.
Mesazhi i plotë:
KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!
Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve të krishterë ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar! Uroj përzemërsisht që kjo festë e shenjtë të sjellë sa më shumë shëndet, mbarësi, begati, paqe dhe lumturi në çdo familje shqiptare.
Ngjallja e Krishtit na kujton se, sado e fortë dhe e pathyeshme të duket e keqja, asgjë nuk mund ta ndalë dritën dhe të mirën që të triumfojnë mbi errësirën. Shpresa me besimin në Zot janë më të fuqishme se çdo sfidë.
Lutja e Krishtit në Kryq “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!” mbeten një mësim i përjetshëm se fuqia e dashurisë triumfon mbi gjithë veprat e këqija, intrigat, ligësitë, pabesitë dhe tradhtitë.
Le ta festojmë këtë ditë të shenjtë si triumfin e jetës mbi vdekjen, me besim të palëkundur, me zemra të mbushura me shpresë dhe me energji të reja për të ndërtuar një të nesërme më të mirë, që me patjetër do të vijë.
NGA MOT GËZUAR PASHKËN!
