Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u nderua me Titullin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeg” nga Komuna arbëreshe e Frascinetos në Kalabri të Italisë.

Bashkia e Frascineto e vlerësoi Kryetarin e Shtetit shqiptar, me motivacionin: “Për kontributin e palodhur për forcimin e lidhjeve mes Komunitetit Arbëresh dhe Shqipërisë. Me praninë e tij të shpeshtë mes arbëreshëve, përforcon lidhjen e lashtë vllazërore midis shqiptarëve këtej dhe përtej detit , duke e bërë aktuale vlerën e përbashkët të ‘gjakut tonë të shprishur”.
Duke e falenderuar Kryebashkiakun Angelo Catapano, si dhe autoritetet vendore për këtë vlerësim, Presidenti Meta theksoi:

“Ju falenderoj për Titullin që më akordoni sot, që më motivon më shumë në angazhimin tim për të forcuar lidhjet mes nesh.
Duhen ndërmarrë sa më shumë nisma konkrete për mbrojtjen e minoritetit arbëresh, duke shtuar kontributin tonë në regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe ‘Moti i Madh’, në UNESCO dhe duke ngritur një Instituti të Kulturës Shqiptare në Romë.

Duhet të punojmë fort, për të forcuar marrëdhëniet ekonomike e turistike midis dy vendeve tona, veçanërisht me fshatrat arbëreshe, ku kemi mundësi të njohim jo vetëm historinë, e kulturën arbëreshe, por edhe gastronominë e tyre, dhe po ashtu për dërgime dhe shkëmbime të nxënësve dhe studentëve shqiptarë e arbëreshë në shkollat e mesme dhe universitete.

Filluam një diskutim, pas vizitës sime në vitin 2018, për mundësinë e një linje ajrore midis Lamezia Terme dhe Tiranës, që do të ndihmonte shumë në shtimin e numrit të vizitorëve nga të dyja vendet dhe veçanërisht të arbëreshëve në Shqipëri, por që ende nuk ka arritur një zgjidhje. Shpresoj të mund të vendoset edhe linja direkt me Kalabrinë. Personalisht do të përpiqem për ta arritur këtë gjë.
Komuniteti arbëresh, të cilit Shqipëria dhe shqiptarët i detyrohen për hedhjen e themeleve të Lëvizjes Kombëtare, është projektimi ynë i përbashkët, i shkëlqyer, në Europën e Bashkuar. Ata mbeten modeli ekselent i të qenit pjesë përbërëse e së tërës të bashkuar, duke ruajtur dhe trashëguar karakteristika të identitetit të origjinës historike.

Trashëgimia unike e Arbëreshëve të Italisë, si dhe shumë të rinj italianë, që vijnë për të studiuar, punuar dhe jetuar në Shqipëri, kanë forcuar nevojën për bashkimin e forcave, në mbajtjen e Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin ‘La Sapienza’ dhe në universitete të tjera italiane (Palermo, Napoli, Cosenza).

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për mikpritjen e Arbëreshëve dhe politikat e ndërmarra për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe riteve arbëreshe, si dhe mikpritjen e emigrantëve në vitet ‘90 dhe integrimi i tyre në shoqërinë italiane. Komuniteti shqiptar vlerësohet si shembull i integrimit në shoqërinë italiane, ndërsa Arbëreshët konsiderohen pjesë integrale e kulturës dhe traditave të shoqërisë italiane.

Vlerësoj avokatinë e pashembullt të Italisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe për ndihmat e jashtëzakonshme gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2020, pandemisë Covid-19 dhe në Konferencën e Donatorëve më 17.02.2020.
Dëshiroj të vë në dukje partneritetin strategjik, marrëdhëniet e shkëlqyera historike tradicionale dhe domosdoshmërinë për forcimin e tyre në të gjitha fushat; politike, ekonomike, kulturë, arsim, shkencë e turizëm.

Kemi nevojë për bashkëpunim në Arsim-Kulturë-Art-Sport dhe nxitje dhe bashkëpunim në fushën e arsimit universitar dhe përgatitja e curriculave dhe diplomave të përbashkëta, shkëmbime mes stafeve akademike dhe studentëve
Është i rëndësishëm nënshkrimi i një Protokolli të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Rajonit Kalabri, sipas atij ekzistues me Rajonin e Pulias, dhe atë të propozuar me Rajonin e Siçilisë.

Kalabria duhet të përfshihet së bashku me Bazilikatën në strukturën e Makrorajonit Adriatiko-Jonian, ku bëjnë pjesë edhe rajonet e Pulias dhe Molizes. Përveç pëfitimeve zhvilluese dhe ekonomike, kjo strategji do të shërbente si një instrument ndërlidhës nga pikëpamja kulturore edhe arbëreshët e Kalabrisë dhe të Basilicata me arvanitasit, pasi edhe Kroacia është pjesë e Makrorajonit.
Ju faleminderit!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: