Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka realizuar një sërë takimesh institucionale në shtetin e Teksasit dhe në Florida me përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe botës akademike.
Në Teksas, takimet janë zhvilluar me mbështetjen e anëtarit të Këshillit të Qarkut Conroe, Harry Hardman, dhe organizatës Open Gov Hub Albania, me fokus thellimin e dialogut ndërinstitucional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale.
Në Kapitolin e shtetit të Teksasit në Austin është zhvilluar një ceremoni simbolike ku flamuri është ngritur për një ditë në nder të vizitës së Metanit, ndërsa më pas ai është dorëzuar në një ceremoni zyrtare nga autoritetet vendore.
Gjatë vizitës, Metani ka zhvilluar takime në Shkollën Bush të Qeverisjes dhe Shërbimit Publik pranë Texas A&M University, ku është diskutuar për bashkëpunim akademik, programe trajnimi dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
Në Prokurorinë e Qarkut Montgomery, ai është pritur nga Prokurori Mike Holley, me të cilin janë shkëmbyer përvoja mbi pavarësinë institucionale, integritetin dhe forcimin e sundimit të ligjit. Në këtë takim, Metanit i është dorëzuar edhe një certifikatë vlerësimi për kontributin e tij institucional.
Metani ka zhvilluar gjithashtu takime me gjyqtarë të Gjykatës së 9-të të Apelit të Teksasit, si dhe ka vizituar Parkun Përkujtimor të Veteranëve të Qarkut Montgomery, ku është vlerësuar me certifikatë falënderimi për vizitën.
Në vijim të agjendës, ai ka qëndruar edhe në shtetin e Floridës, ku ka zhvilluar takime me gjyqtarë federalë dhe përfaqësues të Universitetit të Floridës Jugore, me fokus organizimin e sistemit të drejtësisë, etikën gjyqësore dhe bashkëpunimin akademik.
Sipas Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, këto angazhime synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin me praktikat më të mira në fushën e drejtësisë.
