Në 24 orët e fundit, 23 persona kanë humbur jetën si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në protestat kundër grushtit të shtetit dhe arrestimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë në Mianmar.

Në një deklaratë të bërë nga Organizata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë në Mianmar (AAPP), thuhet se njësitë e ushtrisë përdorën plumba të vërtetë në drejtim të turmës në protestat e mbajtura dje dhe sot në qytetet Yangon, Aungpan, Thaketa, Bago dhe Pakokku.

Deklarata thekson se 23 njerëz vdiqën si rezultat i zjarrit të hapur, kurse shumë demonstrues u plagosën.

Numri i përgjithshëm i viktimave të konfirmuara nga dëshmitarët okularë u rrit në 247, ndërsa 2.345 njerëz janë arrestuar deri më tani, prej të cilëve 1.994 janë ende në arrest.

Protestuesit dënuan dhunën e forcave të sigurisë

Protestat kundër puçit ushtarak vazhduan sot në shumë pjesë të vendit.

Ndërsa spikatën punonjësit e kujdesit shëndetësor në protestat në Yangon dhe Mandalay, dhjetëra mijëra njerëz në Aungpan dënuan dhunën e forcave të sigurisë, në kundërshtim të vrasjes së civilëve në protestat e djeshme.

Në disa video të shpërndara në mediat sociale, ushtarët shihen duke hyrë në shtëpitë e protestuesve dhe duke plaçkitur sende private.

Duke folur për AA, aktivistët deklaruan se administrata ushtarake ka vendosur kufizime më të rrepta në qasjen në internet, veçanërisht në rrethinën e Yangon-it, dhe se kanë vështirësi të ngarkojnë shumicën e videove në lidhje me dhunën e forcave të sigurisë në mediat sociale.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb