TIRANE- Michel Platini, president i UEFA-s, ka zyrtarizuar sot kandidaturën e tij për në krye të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), e përfshirë nga një skandal i madh korrupsioni.
Zgjedhjet për të zëvendësuar zvicerianin Joseph Blatter do të zhvillohen në kongresin e jashtëzakonshëm më 26 shkurt 2016. Platini shihet si favorit kryesor në këto zgjedhje. Michel Platini, 60 vjeç, e zyrtarizoi vendimin e tij nëpërmjet një letre dërguar 209 anëtarëve të FIFA-s, të publikuar nga UEFA.
FIFA është përfshirë nga kriza më e rëndë në historinë e saj që pas arrestimit në Zvicër më 27 maj të shtatë anëtarëve të komitetit ekzekutiv, tre ditë pas rizgjedhjes së Blatter për mandatin e 5-të. Zviceriani dha përfundimisht dorëheqjen më 2 qershor.
(m.k/BalkanWeb)
