Dita filloi orë para agimit. Pekini, tashmë prej ditësh në gjendje alarmi të lartë, në këto orë të para të mëngjesit, shtrihet i heshtur, por i rrethuar me polici, ushtri,roje sigurie e pilka kontrolli çdo pak metra.

Qindra gazetarë e reporterë nga e mbarë bota, levizin të pashqetësuar e me nxitim, por pa prishur qetësinë absolute të oragnizimit. Ka diçka që imponon mbajtjen e qetësisë, sikur paralajmëron një shfaqje që pasohet nga një atmosferë krejt tjetër. Për të arritur tek zona e caktuar për shtypin, ku më parë ishim pajisur me një ftesë të posaçme, duhet të kalonim të paktën katër kontrolle të imtësishme: kontrolli çantave, paisjeve të raportimit, kontrolli trupor dhe rojet me uniformë, të cilët vrojtonin me kujdes kredencialet e varura në qafë, përpara se të miratonin kalimin. Efikasiteti i këtij procesi qe mbreslënës, në sekondë, nëpërmjet një kontrolli të paijsur me kamera, shfaqeshin emrat dhe kredencialet e secilit pjesëmarrës.

Me të mbërritur në shesh, përpara meje u shfaqën dhjetra mijëra spektatorë që po drejtoheshin në tribunat e tyre krejt qetësisht, të orientuar nga ekpiet e organizmit, ku shumica prej tyre kishin zgjedhur të vinin orë para fillimit të paradës.

Në çdo ndjenjëse, gjendeshin çanta me ushqim, kapele, flamuj të vegjël të Kinës, që valëviteshin të sinkronizuar sipas këngëve me të filluar ceremonia. Diello u ngjit lart, ajri u bë i rëndë, por mes rreshtash, të gjithë murmurinin qetësisht, pa krijuar asnjë tingull. Temperatura e ajrit po bëhej e padurueshme, por atmosfera vijonte të ishte e përzier midis krenarisë qytetare dhe një ceremonie formale ushtarake.

Pritja zgjati me orë përpara se notat e para të muzikës ushtarake të thyenin monotoninë.

Parada fillon me një saktësi kinematografike, heshtja e turmës thellohet kur dëgjohen të shtëna armësh, thirrje ushtarake që përhapeshin në të gjithë sheshin. Heshtja thellohet kur presidenti Xi Jinping shfaqet duke takuar liderët e ftuar e më pas për të vijuar me turin e tij në limuzinën e hapur, ku përshëndeste formacionet ushtarake.

Prania e tij tërhiqte menjëherë vëmendje, por edhe më shumë vëmendje tërhoqi pamja e Vladimir Putinit dhe Kim Jong Un që qëndronin pranë tij në platformën e vëzhgimit, një imazh politikisht po aq i ngarkuar sa çdo armë që kaloi atë mëngjes.

Kur trupat filluan marshimin, sheshi ushtoi nga hapat e sinkronizuar. Divizione të tëra kalonin në harmoni të përsosur: forcat tokësore, marina, aviacioni, trupat raketore dhe formacionet e reja që përfaqësonin hapësirën kibernetike dhe njësitë e mbështetjes informative.

Turma murmuriste me admirim për rreshtat e tyre të përkryer dhe pajisjet futuriste, ku nxitonin të bënin foto e video.

Atmosfera kulmon me parakalimin e armëve ushtarake: raketa hipersonike që parakalonin me transportues gjigandë, raketa balistike me lazer, dron nënujor dhe paisje të avancuara të cilët parakalonin para Tiananmenit me një gravitet të qëllimshëm.

Pas çdo paraqitje të armëve, ishte rradha e segmentit ajror që sjell dramën e vet. Valë avionesh fluturojnë mbi kokat e spektatorëve, duke bërë që turma të reagonte me habi.

Duartrokitje dhe brohoritje shpërthenin pas çdo paraqitje, ndonëse në këtë pikë nxehtësia ishte gati e padurueshme.

Gazetarët dhe spektatorët fshinin djersën nga balli, disa përdornin broshurat e shtypit si mbrojtje nga dielli, e disa të tjerë të shtyrë nga kurioziteti sfidonin diellin për të bërë video e foto të ceremonisë.

Parada zgjati gati tre orë në total, një maratonë spektakli dhe simbolike.

Kur Xi mbajti fjalimin e tij më pas, turma kaloi nga admirimi pasiv në heshtje të vëmendshme.

Në fjalët e tij, dallohej krenaria për trashëgiminë e luftës së Kinës me një mesazh sfidues për vetë-mjaftueshmëri dhe qëndresë ndaj presionit të jashtëm.

Duke dëgjuar në atë nxehtësi, e rrethuar si nga qytetarë të zakonshëm ashtu edhe nga të ftuar ndërkombëtarë, ndjeva koreografinë e kujdesshme të gjithçkaje :e kaluara e thirrur për të formësuar të tashmen, në kohë të përçarjeve të thella në rendin global.

Kur aeroplanët e fundit u larguan dhe parada përfundoi, turma filloi të shpërndahej ngadalë, pas sinjalizimit.

Njerëzit mbanin flamujt e vegjël, bënin foto e video para këndeve të krijuara përgjatë sheshit, duke biseduar të entuziazmuar, teksa stafi i sigurisë drejtonte në mënyrë të përsosur pjesëmarrësit drejt daljeve dhe autobuzëve.

Për mua, përshtypja më e fortë erdhi përtej shfaqjes së armëve, por disiplina e pastër e ceremonisë.

Duke qëndruar aty me diellin përvëlues mbi kokë, kuptova rëndësinë e këtij eventi: deklaratë dhe shfaqje me çelik dhe simbolikë. Kina sot e sheh veten jo thjesht si pjesëmarrëse në histori, por si një forcë qendrore që po formëson atë që vjen më pas.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb