Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish qytetarët që prej ditësh protestojnë për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e tij, duke i cilësuar si “budallallëqe” akuzat dhe kundërshtimet ndaj investimit në Zvërnec, i cili shërbeu si pikënisje për të nxitur revoltën dhe shpërthimin e pakënaqësisë së akumuluar.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi pamje nga një projekt turistik në Katar, duke theksuar se ai është zhvilluar nga vëllezërit Alkhayatt, bashkëpronarë të konglomeratit Power International Holding, kompania që është përfshirë edhe në projektin e Zvërnecit.
Sipas kreut të qeverisë, është e paimagjinueshme që një kompani me përmasa globale dhe reputacion ndërkombëtar të rrezikojë emrin e saj me projektet që po kundërshtohen në Shqipëri.
“Po budallallëku që e ka lënë këtë vend mbrapa bote 100 vite, nuk ka për ta marrë dot peng Shqipërinë Europiane dhe Turistike”, shkruan Rama.
