Zjarret si pasojë e temperaturave të lartë janë përhapur tashmë në të gjithë globin.

Mijëra njerëz në Portugali, Spanjë, Francë dhe Marok janë evakuuar nga shtëpitë e tyre ndërsa zjarrfikësit përpiqen që të vënë nën kontroll zjarret e shkaktuara nga vala e të nxehtit të kësaj jave, e cila ka sjellë temperatura ekstreme prej më shumë se 45 gradë Celsius në një pjesë të madhe të shteteve të Evropës dhe Afrikës veriore.

Portugali

Një person ka vdekur dhe të paktën 135 persona kanë pësuar lëndime kryesisht të lehta që nga fillimi i zjarreve në Portugali javën e kaluar. Një “gjendje emergjente” ka qenë në fuqi që nga e diela dhe rreth 800 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, sipas Autoritetit të Mbrojtjes Civile të vendit.

Deri të enjten, Portugalia kishte regjistruar 28 zjarre aktive, me më shumë se 2,000 zjarrfikës në terren.

Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA) tha se 13 rajone kishin arritur temperatura të paprecedentë të mërkurën, me një temperaturë prej 46.3 gradë Celsius të regjistruar në qytetin qendror Lousã.

“Kjo nuk është një situatë normale dhe është serioze në të gjitha aspektet,” tha meteorologia e IPMA Patrícia Gomes për shtypin portugez.

Zjarret e vazhdueshme vijnë pesë vjet pas zjarrit shkatërrues në komunën qendrore të Pedrógão Grande , i cili vrau 66 njerëz dhe la qindra të plagosur dhe shkatërroi 30,000 hektarë pyje.

Francë

Qindra njerëz të tjerë u evakuuan nga shtëpitë e tyre në Francën jugperëndimore pasi zjarret dolën jashtë kontrollit të premten.

Që nga e marta, më shumë se 1,000 zjarrfikës, të mbështetur nga nëntë avionë me ujë, janë duke luftuar me dy flakët e ndezura nga nxehtësia përvëluese dhe erërat e forta.

Autoritetet në departamentin e Girondës, ku zjarret janë ende të ndezura, e përshkruan situatën si “të pafavorshme”.

Një nga dy zjarret në Gironde ishte rreth qytetit të Landiras, në jug të Bordo, ku 4200 hektarë janë djegur, rrugët janë mbyllur dhe pothuajse 1000 banorë janë evakuuar.

Një tjetër zjarr i cili ka djegur tashmë 3,100 hektarë, ishte përgjatë bregut të Atlantikut, afër “Dune du Pilat” – duna më e lartë e rërës në Evropë – në zonën e Gjirit Arcachon, mbi të cilën u panë re të mëdha tymi që ngriheshin në qielli.

Rreth 6,000 njerëz u evakuuan nga kampingjet përreth të mërkurën, dhe 4,000 njerëz të tjerë herët të enjten.

Spanjë

Temperaturat në një pjesë të Extremadurës, ku zjarrfikësit po luftojnë me zjarrin që ka përfshirë më shumë se 4,000 hektarë tokë, arritën në 45 gradë Celsius të enjten.

Cayetano Torres, një zëdhënës i zyrës meteorologjike spanjolle, Aemet, tha se ndërsa vala e të nxehtit, pritej të përfundonte të hënën, por mund të mos jetë e fundit e vitit.

Ai vuri në dukje se kishte pasur dy valë të nxehti në 2021, tre në 2020 dhe 2019, një në 2018, pesë në 2017 dhe katër në 2016.

“Nuk mund të nxjerrim një përfundim bindës, por një analizë klimatologjike e tendencave të temperaturës tregon se temperaturat e larta të verës po fillojnë më herët dhe po bëhen më intensive. Ekziston gjithashtu një tendencë e lehtë drejt valëve të të nxehtit që zgjasin më gjatë,” tha Torres.

Ai tha gjithashtu se rritja e temperaturave të shkaktuara nga ngrohja globale tashmë po shkaktonte ndryshime në mot dhe po ndryshonte gjeografinë e pjesëve të Spanjës.

“Ne e dimë se diçka po ndryshon: grafikët e temperaturës tregojnë se çdo vit është më i nxehtë se ai i mëparshmi. Kjo është një prirje e qartë dhe po prodhon shkretëtizimin. Mund të thuash se Almeria është një shtrirje e shkretëtirës së Saharasë dhe kjo po përparon përgjatë juglindjes,” tha ai.

Marok

Zjarrfikësit marokenë, ushtarët, oficerët e policisë dhe punonjësit e mbrojtjes civile kanë luftuar të paktën katër zjarre që kanë përfshirë pyjet në veri të vendit.

Të paktën 1,000 hektarë pyje janë djegur që nga mbrëmja e së mërkurës në Larache dhe Ouezzane, sipas raporteve fillestare.

Vendi, i cili po përballet me thatësira intensive, ditët e fundit është goditur nga temperaturat në rritje që i afrohen 45 gradë Celsius.

Kinë

Vapa ekstreme ka përfshirë gjithashtu pjesën më të madhe të Kinës këtë javë, duke prekur më shumë se 900 milionë njerëz. Ndikimet e temperaturave të larta kanë bërë bujë kombëtare, me autoritetet që paralajmërojnë të moshuarit për rrezikun e kushteve të tilla.

Të enjten, Shangai, qyteti më i populluar i vendit, lëshoi alarmin më të lartë për herë të tretë këtë verë, pasi temperaturat e larta thyejnë vazhdimisht rekorde. Pasditen e së enjtes, temperaturat u rritën në 40,6 gradë Celsius.

Deri të enjten, qyteti kishte lëshuar tashmë tre alarme të kuqe në një hark të shkurtër prej pesë ditësh.

12121212

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb