Dy derbi dy fitore: në shtëpinë e Milan kjo nuk ndodhte që nga sezoni 2010/2011. 15 vite më pas “djalli” rikthehet të fitojë dy përballjet me Inter, por kanë dhe një gjë të përbashkët, Max Allegri. Atë sezon vinte dhe titulli në Serie A, por këtë herë diskutimi është pak më ndryshe pasi 7 pikë diferencë në raport me Inter konsiderohen shumë, e ka të vështirë të flas për titull edhe vetë Allegri, i vetëdijshëm se ky është një hendek i madh për t’u rikuperuar në 10 javë.
Fakt është gjithashtu se faktori Allegri ka qenë jo pak përcaktues në këto shifra, në këtë sezon, kjo pasi Milan nuk është se ka një organikë galaktike, por një grup i formuar me pak kosto, si në verë ashtu edhe në janar. Pikërisht merkato dhe projekti i ri pritet të jenë përcaktuese edhe për të ardhmen e Allegrit.
Trajneri ka një kontratë deri në 2027, por ofertat nuk mungojnë, madje edhe nga klube si Real Madrid. Në daljen e fundit, përpara derbit, Allegri u përpoq të qetësonte ambientin duke theksuar se në Milano ndihet shumë mirë dhe se ka një kontratë, por nga ana tjetër është e qartë se Allegrit i duhen përforcime cilësore për të hapur një kapitull të ri, të mos mjaftohen më vetëm me prezencën në Champions.
Sapo të arrihet objektivi jetik i “djallit”, prezenca mes 4 ekipeve të para në Serie A, Tare-Allegri dhe pjesa tjetër e stafit drejtues do të ulën në një tavolinë për të skicuar sezonin e ri.
