Mbrëmja e së mërkurës pritet të jetë vendimtare për Milanin në garën për titull. Kuqezinjtë zbresin në fushë kundër Como me një objektiv të vetëm: fitoren. Aktualisht, Inter kryeson me tetë pikë avantazh dhe Milani duhet ta fitojë ndeshjen e prapambetur për ta ulur diferencën në pesë pikë, përpara derbit të shumëpritur të 8 marsit.
Trajneri Massimiliano Allegri ka ende disa dilema për formacionin. Lajmi pozitiv vjen nga rikthimi i Alexis Saelemaekers, i cili ka lënë pas problemin muskulor dhe është gati për t’u përballur me skuadrën e drejtuar nga Cesc Fabregas. Mbetet për t’u parë nëse belgu do ta nisë nga minuta e parë apo do të ulet në stol, me besimin që mund t’i jepet sërish Zachary Athekame pas paraqitjeve pozitive të fundit.
Dilema më e madhe është në mesfushë, ku mungon i pezulluari Adrien Rabiot. Alternativat janë të qarta: aktivizimi i Samuele Ricci ose rikthimi i Ruben Loftus-Cheek në rolin e tij natyral, pas dy ndeshjeve si sulmues. Nëse anglezi spostohet në mesfushë, atëherë në repartin ofensiv mund të hapet hapësirë për Rafael Leao përkrah Christopher Nkunku.
Seanca e fundit stërvitore në Milanello do të japë sinjalet përfundimtare. Një gjë është e sigurt: për Milanin nuk ka më vend për gabime. Për të mbajtur gjallë ëndrrën e “Scudetto”-s, duhet vetëm fitore.
