Milan është në ditën e tretë të grumbullimit. Pas prezantimit të teknikut Max Allegri në krah të Igli Tares, tashmë drejtuesit e “Djallit” së bashku me teknikun livornez janë duke piketuar lëvizjet e radhës. Pas Samuele Riccit nga Torino dhe pritjes së kroatit Luka Modriç, i cili do të vijë në Milano pas Botërorit për Klube me Real Madrid, tek Milan janë në pritje edhe të përmbylljes së tratativës që të çon tek Ardon Jashari nga Club Brugge. Skuadra kuqezi e ka formuluar tashmë ofertën për belgët, që shkon në 33 mln euro e nuk ka ndërmend të rrisë këtë ofertë.
Me të kompletuar mesfushën Milan do të vijojë nga puna për përforcimin e reparteve të tjera. Në sulm për momentin duhet një lojtar i ri për t’ia bashkangjitur meksikanit Gimenez, por e sigurte është sipas mdiave italiane që ky sulmues nuk do të jetë Dusan Vlahoviç, i cili me shumë gjasa do të largohet jashtë Italisë, ndaj me shumë gjasa do të duhet të pritet ndoshta deri në mesin e gushtit, kur pritet një efekt zinxhir nga lëvizjet e klubeve të mëdha angleze. Aktualisht Milani po pret pa bërë lëvizje të forta, pasi buxheti prej rreth 25 milionë eurosh nuk lejon shpenzime të mëdha
Fokusi i Milanit në këtë pikë do të zhvendoset tek mbrojtësit e krahut, me emrin e Doué ndër prioritetet. Sipas “L’Équipe”, kuqezinjtë kanë bërë një ofertë prej 15 milionë eurosh për mbrojtësin e Strasburgut, Guéla Doué, 22 vjeç.
Lojtari ka një marrëveshje paraprake me Milanin dhe është gati të firmosë deri në vitin 2030, por Strasburgu nuk ka pranuar ende ofertën e parë. Doué, i pëlqyer nga Allegri, mund të luajë si mbrojtës i djathtë ose qendror në një mbrojtje me tre. Negociatat pritet të zhvillohen më konkretisht në ditët në vijim.
