Në Milano, nuk ka asnjë efekt as kura Fullkrug, me “djallin” që vijon të vuajë jashtëzakonisht shumë në fazën sulmuese. Në letër, Allegri ka të paktën 4 sulmuese, por në fushë, asnjë prej tyre nuk bind duke detyruar trajnerin që pjesën më të madhe të sezonit ta luajë me dyshen Leao-Pulisic.

Këtë verë, Tare dhe pjesa tjetër e stafit drejtues do të përpiqen edhe një herë të gjejnë një “pykë” të përshtatshme për Allegrit. Drejtori Sportiv ka përpiluar dhe një listë të shkurtër me tre objektiva konkret, Moise Kean, Guirassy dhe së fundmi Mateo Retegui. Ky i fundit, edhe më herët ka qenë në planet e Milan, por në fund Al Qadisya pagoi 67 milionë euro duke blerë kartonin e tij nga Atalanta.

Sipas TuttoSport: Milan i është rikthyer edhe një herë kësaj piste, madje Igli Tare ka zhvilluar një takim kokë më kokë me agjentin e sulmuesit. Pengesa më e madhe për rikthimin e Retegui-t në Milano është paga e tij. Sulmuesi “azzurr” përfiton 16 milionë euro në sezon tek Al Qadisya, shifër që në Milano as që mund ta ëndërrojë. Tare maksimumi mund t’i ofrojë 5 milionë euro, plus bonuse. Situata mund të përmbyset vetëm nëse konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb