Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 ka komentuar zhvillimet në PD dhe situatën politike në vend.

Gjekmarkaj theksoi se ministrat e qeverisë Rama po bëjnë paradë në SPAK, duke shtuar se qeverisja aktuale ka rënë moralisht. Ai tha se Shqipëria po bie në diktaturën e korrupsionit.

Agron Gjekmarkaj: Seancat plenare prej muajsh janë në anomali. Lideri i opozitës është arrestuar edhe pa hetim. Kryeministri e ka kuptuar se hallka e dobët e tij është korrupsioni. Ministrat bëjnë paradë në SPAK dhe mund të themi se kjo qeveri ka rënë moralisht. Antikorrupsioni është slogan i qeverisë e nuk ka si të jetë Komision. Ne po biem në diktaturën absolute të korrupsionit. Mazhoranca është e venitur dhe e zbehtë. Në lidhje me Komisionin për Antikorrupsionin, mund të them se ne nuk lajmë fytyrën e pisët të qeverisë. Unë besoj se PD e ka nisur rrugëtimin e NATO-s, ka nisur rrugën europiane dhe do jetë ajo që do të mbyllë procesin e integrimit europian. PD po vepron ndryshe.

Në lidhje me z Berisha, fakti që shumica e demokratëve ndoqi atë, tregon se Sali Berisha është një lider i padiskutueshëm për Partinë Demokratike. PD është i vetmi institucion që mund të ndalë hovin e gabuar të qeverisë. Partia Demokratike nuk është ndaluar që të diskutojë çështjen nëse Berisha do jetë kandidati për kryeministër. Nuk jemi ndalur ende për të gjetur formulën sesi do të përballemi me kundërshtarin. Mendoj se PD do të marrë vendimin e duhur për këtë çështje. Nuk mund të jem fallxhor, nuk e kemi diskutuar këtë gjë në parti.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: