Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë përmes një komunikate për media ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Rajonal të Ganës, Shirli Boçvej, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Beograd, ka deklaruar se shteti i saj do të shqyrtojë vendimin për pranimin e pavarësisë së Kosovës.

“E di se vendimi që është sjellë ka qenë pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve tona. Por, ne jemi këtu, nuk kemi shkuar në Kosovë”, ka thënë Boçvej në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun e saj serb, Ivica Daçiç.

Duke u mbështetur në përvojën e të painkuadruarve dhe rolin që Gana dhe ish-Jugosllavia kanë luajtur në këtë lëvizje, Daçiçi ka theksuar se Serbia dhe Gana sot dëshirojnë që t’i “rindërtojnë marrëdhëniet e tyre, të cilat janë shkelur para 6 vjetësh me vendimin lidhur me njohjen e Kosovës”.

“Nuk dëshirojmë që të bëjmë presion dhe Kosova as që është tema kryesore e atyre për të cilat po flasim. Ky është vendim i tyre dhe ne do të donim që edhe një herë ta analizojnë situatën, e cila tash është shumë më ndryshe, sepse po hulumtohet për zgjidhjet dhe po zhvillohet dialogu. Do të donim që të rishqyrtohet vendimi, të cilin e ka sjellë administrata e mëparshme”, ka theksuar Daçiç, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Ganës, Ajron Majkl Okvaje, gjatë vizitës në Beograd, në muajin maj, ka deklaruar se Gana do ta shqyrtojë çështjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës. Por, më 8 qershor, ambasadorja e emëruar e Ganës në Prishtinë, Salma Frances Mancell- Egalla, i ka dorëzuar letrën kredenciale ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Edhe vetë ministri Pacolli, përmes rrjetit social Facebook, kishte njoftuar për akreditimin e ambasadores së re të Ganës në Kosovë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: