Aktivisti nga diaspora Arbër Lleshi, në një intervistë me moderatorin Klevin Muka në News 24 tregoi ndër të tjera mesazhet që ka shkëmbyer me kryeministrin Edi Rama.
Lleshi u shpreh se se i tha kryeministrit se ministrat e tij vjedhin e se vetë Rama më së paku nuk i kontrollon dot. Ai shtoi se edhe kjo është një arsye pse Rama duhet të japë dorëheqjen, për sa kohë nuk kontrollon dot korrupsionin qeveritar.
Më tej, Lleshi nënvizoi se Rama e ka kthyer çdo gjë në teatër dhe bën batuta bajate, duke mos u treguar serioz për hallet e qytetarëve.
Klevin Muka: Pashë një komunikim tuajin me kryeministrin Edi Rama në Facebook. I kërkuat llogari në numrin e tij personal. Çfarë u tha?
Aktivisti nga diaspora Arbër Lleshi: I parashtrova një argumentim të thjeshtë. I thashë se ka gjitha këto skandale korruptive në qeveri. I thashë që ju keni thënë se nuk janë bërë aktet korruptive me urdhrin tim, por janë bërë pas shpinës time.
Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, i bie që kemi të bëjmë me një kryeministër që nuk kontrollon dot korrupsionin që ndodh nën hundën e tij. Kjo përmban një përgjegjësi institucionale për ju si kryeministër. I thashë që vetëm kjo përgjegjësi ju bën ju që të jepni dorëheqjen.
Klevin Muka: Çfarë ju tha kryeministri?
Arbër Lleshi: Më tha “amanet mushkat”, që është një shprehje e vjetër shqiptare. Kryeministri vazhdon teatrin, nuk është serioz. Nuk i përgjigjet ankesave në mënyrë serioze, por bën batuta bajate. Më tha që këtë e rregullon sistemi i drejtësisë, që la të nënkuptuar që këtë sistem drejtësie e kishte sjellë ai.
Në fakt e dimë shumë mirë që drejtësia është një përpjekje ndërkombëtare për të bërë gjërat më mirë e për të shpëtuar Shqipërinë nga njerëzit si Rama. Rama është njeriu i parë që duhet të jetë target i drejtësisë.
