TIRANE- Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, heq nga faqja e Ministrisë thirrjen për investim të sipërmarrjeve të huaja për segmentin Tiranë­-Durrës. Pas publikimit në gazetën “Panorama” të skandalit që mban firmën e ministrit, Ahmetaj ka pranuar gabimin e tij dhe e ka hequr këtë lajmërim nga faqja e tij. Buletini i investimeve në ekonominë shqiptare, i botuar në mesin e vitit të shkuar, tregonte mundësitë për investime nga sipërmarrje serioze të huaja. “Albania calls… A country of opportunities” (Shqipëria thërret, Një vend mundësish) është dokumenti zyrtar, ku Agjencia e Investimeve prezanton për të gjithë të interesuarit e huaj mundësitë e investimit në vend. Në mundësitë që ofrohen për investime, ministri Ahmetaj rendit edhe autostradën Tiranë­-Durrës. Ahmetaj fton të gjithë të huajt që të investojnë, jo pak, por deri në 120 milionë euro në këtë rrugë. Thirrja për investitorët e huaj qëndron në faqen e Ministrisë që prej vitit të shkuar, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që shumë investitorë të huaj të jenë përgatitur për të shtrirë aktivitetin e tyre në Shqipëri, bazuar në këtë dokument.
GJELBËRIMI
Por, thirrja e ministrit Ahmetaj drejtuar investitorëve të huaj për të zgjeruar rrugën Tiranë­Durrës me tri korsi në secilin drejtim, bie ndesh me projektin e gjelbërimit që Kryeministri Rama dhe ministri i Mjedisit kanë nisur me shumë publicitet. Çdokush ka parë tashmë se ky projekt është në fazën përfundimtare të tij, pasi ka mbërritur pranë Mbikalimit të Kamzës, ndërsa që nga Kthesa e Kasharit, përveç rikonstruksionit të ndarësve të trafikut, në anë të rrugës janë mbjellë qindra palma të larta, që e bëjnë të pamundur zgjerimin e saj. Për projektin e gjelbërimit, qeveria ka akorduar një fond prej 600 mijë USD para të taksave të shqiptarëve. Ftesa për të investuar zgjerimin e segmentit kryesor të vendit, pasi në të sapo ka përfunduar një investim në gjelbërim, tregon mungesën e seriozitetit të shtetit shqiptar dhe para investitorëve të huaj, për të cilët ekonomia shqiptare po lobon në çdo konferencë, samit, apo takime të niveleve të larta politike. Por, mungesa e dijenisë për një projekt paralel me atë që ministri Ahmetaj lajmëron në faqen e Ministrisë së tij për investitorët e huaj, nuk qëndron për faktin se ai është ministri përgjegjës për investimet në Shqipëri. Në vendimin nr. 835, datë 18 shtator 2014, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”, është caktuar përgjegjësia e Ahmetajt për investimet. Për të mos pasur përplasje, në pikën e tretë të vendimit përcaktohet se ministri i Ekonomisë ushtron veprimtarinë
“Hartim dhe zbatim i strategjive dhe i politikave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, programimit strategjik dhe monitorimit të investimeve publike për të gjitha institucionet qendrore në vend”.

(ma.ar/Panorama/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb