TIRANE

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar punonjësin e Policisë, që u lëndua në një aksident rrugor mbrëmjen e kaluar, në Durrës. Pas vizitës në spital, Balla tha se fatmirësisht punonjësi është mirë e pas pak kohësh do t’i bashkohet shokëve në detyrë.

Por ai kërkoi të rritet ndëshkueshmëria ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

“Jemi me fat që ky djalë i ri, punonjës i policisë prej 5 muajsh, nuk ka dëmtime të pakthyeshme dhe gjendja e tij shëndetësore paraqitet e mirë, që na jep mundësinë që ta kemi sa më shpejt në kuadër të forcave të policisë në DVP Durrës. Ajo që dua të them në këtë komunikim me ju shkon përtej kësaj ngjarjeje. Fakti që ndodh një aksident rrugor brenda qytetit ku ka një kufizim të detyrueshëm të shpejtësisë së mjeteve, fakti që mbi vizat e bardha goditet një punonjës policie, kjo pikë së pari, duhet të rrisë alarmin brenda vetë Policisë së Shtetit, brenda strukturës së ngarkuar me sigurinë rrugore. Ajo që është detyra e policisë, është të mbrojë jetën dhe garantojë sigurinë e çdo qytetari të këtij vendi. Ky aksident i ndodhur mbrëmë në Durrës është një alarm edhe një rritje e përgjegjësisë së reagimit që ne duhet të bëjmë për të garantuar që brenda qyteteve të mos tolerojmë askënd që ecën me shpejtësi tej normave të lejuara. Kodi Rrugor e ka përcaktuar shumë qartë se sa është shpejtësia dhe kufizimi i shpejtësisë në rrugë”, theksoi ministri i Brendshëm.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në tej ai shtoi se do të propozohet paketë ligjore e cila parashikohet të godasë rreptë shkelësit e rregullave të qarkullimit në perimetrin e sigurisë së shkollave, në qendrat e banuara e pranë institucioneve.

“Prej ditës së parë në detyrë kam kërkuar të rrisim kufizimin e shpejtësisë edhe brenda perimetrit të sigurisë në shkolla ku natyrshëm kjo ka dhënë një efekt. Ajo që duhet të bëjmë, – ia kam kërkuar edhe Drejtorit të DVP Durrës, por edhe drejtuesve të policisë në të gjitha qarqet, – është që t’i bëjmë shembuj të gjitha ata që guxojnë. Për fat të keq vazhdohet një traditë e keqe e këtyre 30 viteve, të xhirimit të gomave, të shpejtësisë tej normave të lejuara, të zhurmave dhe të gjithçkaje tjetër. Prandaj e thashë që ky aksident i ndodhur dje në vizat e bardha ndërsa kalonte një punonjës policie, është një alarm për vetë ne, sepse është detyra jonë të rrisim sigurinë për të gjithë qytetarët e këtij vendi.
Kam një apel edhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve, ndërkohë që sapo kemi mbyllur festat e nëntorit dhe përgatitemi për festat e fundvitit, duhet ta kuptojë gjithkush që Policia e Shtetit do të rrisë kontrollet e veta për të garantuar sa më shumë siguri në rrugë, por pa harruar asnjëherë që siguria në rrugë është përgjegjësi është e çdo drejtuesi mjeti.
Ne jemi duke përgatitur propozime të reja për ndryshime në Kodin Rrugor, sepse e vërteta është që nuk mund të përballohet dot një situatë e tillë e sigurisë rrugore pa rritur ndëshkimet për të gjithë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Shumë shpejt do t’i bëjmë publike propozimet tona. Në fakt kemi mbledhur edhe nga njësitë tjera, struktura të tjera, njësitë e qeverisjes vendore, propozime që lidhen më kufizimet e shpejtësisë, pa harruar këtu çështjen e perimetrit të sigurisë në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla. Sepse dikush që ecën me shpejtësi brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle, nuk mund të ndëshkohet njëlloj sikur në një rrugë tjetër normale.
Nga eksperienca e vendeve të tjera, ju e dini mirë që një vepër penale e karakterit të shkeljes së sigurisë rrugore, ndëshkohet dy-fish nëse ajo ndodh pranë një shkolle, ose në një zonë, komunitet.
Prandaj na duhet që të gjithë këtyre shkelësve t’u dalim përpara në mënyrë që ndëshkimet të jenë ekzemplare, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, apeloi Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: