Zëdhënësi i ambasadës kineze në Londër i hodhi poshtë si ‘fantazi të sëmura’ dhe ‘shpifje dashakeqe’ akuzat e shërbimit britanik të kundërzbulimit të brendshëm (MI5) se Kina po spiunon anëtarë të parlamentit britanik.
Më herët gjatë ditës, ministri britanik i Sigurisë, Dan Jarvis, njoftoi në Dhomën e Komuneve se MI5 u ka dërguar deputetëve një paralajmërim zyrtar për spiunazh, me qëllim që t’i lajmërojë ata për «sulmet e vazhdueshme ndaj institucioneve tona demokratike nga agjentë kinezë».
Jarvis theksoi se siguria kombëtare është prioritet absolut, sidomos tani që qeveria po shqyrton nëse do të miratojë ndërtimin e një ambasade të re kineze në Londër.
“Këto pretendime të Britanisë së Madhe janë krejtësisht të sajuara dhe shpifje me qëllim të keq. I dënojmë ashpër këto veprime të neveritshme të palës britanike”, thuhet në deklaratën e ambasadës kineze.
Sipas Reuters, kryetari i Dhomës së Komuneve, Lindsay Hoyle, dhe homologu i tij në Dhomën e Lordëve u kanë shpërndarë të dy dhomave një ‘njoftim të ri për ndërhyrje’ nga shërbimet e sigurisë, ku paralajmërohet për rrezikun që paraqesin spiunët kinezë.
Hoyle deklaroi se Ministria kineze e Sigurisë Shtetërore ‘po komunikon në mënyrë aktive me persona në rrethin tonë’ dhe synon të mbledhë informacione dhe të ndërtojë marrëdhënie afatgjata, duke përdor platforma profesionale si LinkedIn, agjentë rekrutues dhe konsulentë që veprojnë në emër të Pekinit.
Ai paralajmëroi se dy persona të identifikuar po përdorin pikërisht LinkedIn për të kryer «një fushatë të gjerë afrimi» në emër të qeverisë kineze.
