TIRANE- Gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe takimit me homologun shqiptar Ditmir Bushati, ministri i jashtëm gjerman ka folur për çështjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ministri Heiko Maas tha  Gjermania ka kërkesa të caktuara sa i përket çështjes së reformave dhe qershori 2019 nuk do të thotë çelje automatikisht e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Ne kemi pasur një diskutim në qeverinë federale se cila është perspektiva e Ballkanit Perëndimor. Në qershor të këtij viti u mor një vendim orientues sa i përket fillimit të mundshëm të bisedimeve të anëtarësimit  me Shqipërinë duke nisur prej 2019. Është një vendim që tregon vlerësim për reformat që janë marrë vitet e fundit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, shtetet anëtare të BE kanë bërë të qartë se qershori i 2019 nuk do të jetë një automatizëm sa i përket çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Kriteret për këtë janë të ditura dhe të qarta.

Duhet të ekzistojnë hapa për rezultate të tjera sa i përket reformave në mënyrë të tillë që të mund të bindim edhe të gjithë ata që janë disi skeptikë sa i përket këtij procesi. Bëhet fjalë më së shumti për konsolidimin e shtetit ligjor apo pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Jam tepër optimist që do ecim përpara në këtë rrugë”- tha ministri gjerman.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: