Nisur nga një kronikë e sotme lajmesh, sqarojmë se Memoriali i Fishtës do të kthehet në një Qendër Ndërkombëtare Arti!
Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë po përgatitet të kthehet në një qendër multifunksionale kreative të përmasave ndërkombëtare! Një bashkëpunim strategjik mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe një prej shkollave më prestigjioze të fotografisë në Francë (ESPN), falë përkrahjes nga partnerë evropianë, do të sjellë nga kjo pranverë një frymë të re në zemër të trashëgimisë sonë.
Ky projekt ambicioz i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do t’a shndërrojë këtë hapësirë në një pikëtakim për ekologjinë, shkrimin dhe fotografinë!
Një destinacion i ri kulturor që do të përfshijë:
Rezidenca Artistike & Shkëmbime, ku artistë e studentë francezë dhe shqiptarë do të bashkëpunojnë në programe trajnimi dhe kërkimi shkencor.
Itinerari i Gjurmëve Fishtjane, si një rrugëtim hulumtues që lidh historinë e Fishtës me arkivën e jashtëzakonshme të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë dhe institucione ndërkombëtare, por edhe me promotorët lokalë e agroturizmat e zonës, ky projekt do të kthejë edhe vëmendjen e turistëve drejt bukurive dhe shijeve unike të itenerareve historike të Lezhës.
Me mbylljen këtë janar të proceseve të kolaudimit, regjistrimit dhe kalimit në administrim, në mars pritet të nisë zbatimi dhe jetëzimi i projektit.
