Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja pritën sot në një takim falënderues përfaqësues të kompanisë ajrore izraelite Sundor/ELAL.

Ministri i Turizmit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja ndau detaje nga takimi, i cili erdhi në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për afrimin e dy vendeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja shkruan se “në shenjë mirënjohjeje iu dhurua CEO-s së SUNDOR, Gal Gershon, çmimi simbolik për mbështetjen në nismën e përbashkët për turizëm gjithëvjetor”.

“Përmes këtij bashkëpunimi, në vetëm pak muaj, Shqipëria ka mirëpritur 570% më shumë vizitorë izraelitë krahasuar me vitin 2024, në 110 fluturime direkte Tel-Aviv–Tiranë, me një projeksion prej 60 000 vizitorësh izraelitë deri në fund të vitit”, tha Gonxhja.

Turistët kanë zgjedhur Shqipërinë jo vetëm për plazhet e bukura dhe klimën e favorshme, por edhe për zonat malore me peizazhe natyrore mbresëlënëse, qytetet e lashta me vlerë historike e kulturore si dhe mikpritjen dhe kuzhinën tradicionale.

Sot turizmi është kthyer në aktivitet gjithëvjetor, që jo vetëm po gjeneron të ardhura të konsiderueshme për ekonominë, por gjithashtu po promovon Shqipërinë si një destinacion të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor turistik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb